Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, nuk beson se gjatë vitit 2019 do të përfundojnë bisedimet dhe të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha kurdo që të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, ajo do të vërtetohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Shefi i diplomacisë serbe ka thënë për gazetën serbe “Blic” se planifikohej që dialogu të përmbyllej deri në fund të mandatit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, të cilës i përfundon mandati në katër mujorin e fundit të vitit 2019, por Daçiq dyshon kjo mund të ndodhë pas bllokadës së bisedimeve dhe se thotë se është e sigurtë se Mogherini në të ardhmen nuk do të jetë ndërmjetësuese në bisedime, përcjell Telegrafi.
“Ka shumë arsye se pse bisedimet nuk do të përmbyllen deri në fund të vitit. Shqiptarët po këmbëngulin se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse ne njohim pavarësinë e Kosovës”, tha Daçiq.
Sipas tij, është një sukses i madh që në dialog është kthyer tema e zgjidhjeve thelbësore, e jo vetëm në çështjet teknike.
“Tash të gjithë atyre, për të cilët pavarësia ishte e padiskutueshme, po hapin rrugë, siç po thonë amerikanët- për zgjidhje relative e cila do të respektonte qëndrimet e të dyja palëve”, tha ai
Daçiq tha se nuk është hequr dorë nga ideja e korrigjimit të kufirit si një zgjidhje për Kosovën, por se kjo ide nuk është përpunuar.
“Është në tavolinë [korrigjimi], por për këtë model nuk po bisedohet. Ne nuk heqim dorë nga asnjë ide e cila ka potencial të sjell deri te kompromisi”, tha ai.
Duke folur për formatin e bisedimeve, ai tha se në qoftë se do të ketë kërkesë për ndryshim dhe të marrë pjesë edhe SHBA, Serbia do të kërkojë që edhe Rusia të përfshihet.
“Në qoftë se arrihet marrëveshje, do të kërkojmë që ajo të vërtetohet në Këshillin e Sigurimit, e kjo do të thotë që fuqitë e mëdha të jenë garantues të marrëveshjes”, tha Daçiq./Telegrafi/