Site icon Telegrafi

Daçiq: Ndërkombëtarët po na bëjnë presion rreth njohjeve të Kosovës

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë se vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë veprimet diplomatike të cilat sipas tij me sukses po arrijnë të ndikojnë në shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të rishqyrtojë atë pozicion dhe të anulojë këto veprime, sepse kjo dëmton dialogun me Prishtinën.

“Shqiptarët u ankuan te perëndimorët për mua dhe kërkojnë nga Perëndimi për të ndaluar me këto veprime, sepse kjo po irriton shqiptarët dhe dialogun, ndërsa lobimi i tyre për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë në rregull”, ka thënë Daçiq për Novosti, përcjell Telegrafi.

Ndërsa duke folur për vendimin e Grenadës për të tërhequr njohjen e Kosovës, Daçiq ka thënë se kjo është një tjetër rezultat i madh i Serbisë, “jo vetëm në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe në atë se ky problem mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe se kjo çështje nuk është zgjidhur”.

Lexo po ashtu MPJ: Anulimi i njohjes nga Grenada gënjeshtër e radhës e Serbisë

“Edhe gjatë votimit për pranimin në Interpol, do të shihet se kjo çështje nuk është zgjidhur dhe se lista e Prishtinës për numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën është e rreme. Meqë paskan kaq shumë shtete që e kanë njohur, atëherë ata mund të pritet që të pranohen në Interpol dhe unë mund të garantoj se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë tutje Daçiq.

Ndërsa sa i përket kundërshtimeve në Prishtinë, sipas të cilave Grenada dhe Dominika e kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës, Daçiq thotë se kjo do të shihet kur të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit.

Lexo po ashtu MPJ e demanton Daçiqin: Nuk ka tërheqje të njohjes nga Dominika

Ndryshe, shteti i Kosovës i ka mohuar të gjitha pretendimet e ministrit serb të Punëve të Jashtme, që ndonjë shtet ka tërhekur njohjen për Kosovën.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë për Telegrafin se këto janë shpifje të radhës së Serbisë ndaj Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version