Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, porositi sot në Banja Llukë se është hipokrite që disa vende janë kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, ku sipas tij, askush nuk duhet të përzihet.
“Nëse të gjithë thonë se duhet të ketë marrëveshje, atëherë duhet të jetë marrëveshje dhe nëse të gjithë thonë se Serbia duhet të pranojë Kosovën, atëherë nuk është marrëveshje, pasi këtë ultimatum Serbia kurrë nuk do ta pranojë”, tha Daçiq për Tanjug.
Duke vlerësuar se bëhet fjalë për hipokrizinë e vendeve që janë kundër ndryshimit të kufijve, Daçiq tha se kush e ka pranuar Kosovën shtet nuk ka të drejtë të flasë për atë se duhet ruajtur kufijtë aktualë të Kosovës.
Ai ka thënë se çdo qëndrim për mos ndryshimin e kufijve është jo parimor dhe si i tillë është hipokrit.