Ndodhi që ditëlindja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, 4 korriku, të kremtohej gjatë mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris. Në darkën solemne të Samitit, Ivica Daçiq, shef i diplomacisë serbe, i ka kënduar për Edi Ramën.
Kryetari francez François Hollande e ka shtruar darkën.
Siç shkruan gazeta “Kurir” e Beogradit, transmeton Koha.net, Hollande e ka lutur Daçiqin që të këndojë për nder të ditëlindjes së Edi Ramës.
Natyrisht, shkruan gazeta ”këngëtari ynë kryesor në skenën politike nuk e ka refuzuar ofertën”. Daçiq me gjithë zërin i këndoi Ramës „O sole mio“ dhe „Santa Lucia“. E para se t’ia niste këngës, ai kishte pyetur: “Ku është orkestra?”
Për habinë dhe drojën e kancelares gjermane Angela Markel, Daçiq këndoi sikur në koncert dhe askush nuk e pengoi, përcjell “Kurir” shkrimet e medieve kroate.
Hollande, Merkel dhe Mogherini pastaj e puthën dhe e përqafuan Daçiqin.
Nuk është hera e parë që Daçiq të këndojë ndonjë samit e as t’i këndohet Ramës.
Par dy vjetësh në Beograd, në samitin e Kinës dhe të 16 vendeve të Evropës Lindore e Qendrore, Edi Ramës i ishte kënduar i njëjti repertor, por atëherë edhe këngë të Shaban Shauliqit.
Atëherë Daçiq vëmendjen e kishte tërhequr më së shumti tek i këndonte dhe kushtonte vargje Vesni Pusiqit, i cila në samit merrte pjesë si ministre e Jashtme e Kroacisë.