Telegrafi

Daçiq: Kemi garanci se FSK nuk do të ketë qasje në veri të Kosovës, pa pëlqimin e KFOR-it

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, sot shprehu bindjen e tij se bashkësia ndërkombëtare do të vlerësojë qëndrimin e Serbisë kundër transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës.

“Ne vlerësojmë veçanërisht garancitë e dhëna nga NATO se të ashtuquajturat FSK nuk do të kenë qasje në veri të Kosovës pa pëlqimin e KFOR-it”, ka thënë Daçiq në konferencën “Sfidat e Sigurisë të Ballkanit Perëndimor dhe Serbisë”, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ai, siç raportojnë mediat ka thënë edhe se Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord për zgjidhje duke shtuar se nuk ka dilemë që të gjithë do të mbështesin marrëveshjen, edhe nëse ka të bëjë me ndryshimin e kufijve.

Ndërsa i pyetur nëse ndryshimi i kufijve është pikërisht zgjidhja e duhur, Daçiq kujtoi qëndrimin e presidentit serb, duke shtuar se nuk e di nëse kjo ishte gjëja e vetme e mundur.

“Dialogu është hapur për të gjetur një kompromis, tani është koha për të gjetur një zgjidhje. Nuk bëhet fjalë për idenë e ndryshimit të kufijve, por Franca, SHBA, Rusia, BE-ja, Italia, Austria, të gjithë pajtohen që shansi i kompromisit po rrezikohet dhe se nuk po shqyrtohet që Serbia duhet ta njohë Kosovën, por të kërkojë zgjidhje”, tha Daçiq. /Telegrafi/