Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministër i Jashtëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ka informacione se shqiptarët në diasporë po planifikojnë sulme në ndonjë nga shërbimet diplomatike serbe në Evropë, njofton Klan Kosova.
Daçiq tha se një informacion të tillë e ka marrë nga agjencitë perëndimore të sigurisë, të cilat “informojnë Serbinë për planin e pabesë të diasporës shqiptare”.
“Ky informacion ka ardhur nga shërbimet e komuniteti të sigurisë nga një vend i madh, ku objektivi mund të jetë ambasada jonë, apo ndonjë konsullatë”, ka thënë Daçiq në një intervistë për RTS.
Duke mos dhënë më shumë detaje e as emër konkret, Daçiq gjithçka lë në rrafshin e spekulimeve dhe thashethemeve, ndajë për zyrtarët në Kosovë këto deklarime të tij, s’janë asgjë më shumë pos gënjeshtra.
Madje, Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësministër, ka deklaruar se Daçiq po përdorë logjikën e njëjtë të ish-tutorit të tij, Sllobodan Millosheviq.
Gecaj ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se nuk do të befasohej, edhe nëse vet Serbia kryen një akt të tillë me qëllim që më pas ta prezantojë si vepër të shqiptarëve, njofton Klan Kosova.