Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se ka biseduar me presidentin e Serbisë dhe liderin e Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq dhe se kanë rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit mes dyja partive.
Daçiq deklaroi se diskutimet kanë zgjatur një orë e gjysmë dhe se është rënë dakord që të vazhdohet bashkëpunimi dhe të forcohet koalicioni SNS-SPS, raporton N1.
Marrëdhëniet mes SPS dhe SNS u përkeqësuan pas seancës së jashtëzakonshme për Kosovën, të mbajtur javën e kaluar.
Mediat raportuan se presidenti i SNS-së, Vuçiq, në një mbledhje të jashtëzakonshme të partisë ka thënë se është i zhgënjyer me sjelljen e socialistëve.
I pari i shtetit serb gjatë ditës së djeshme ka pohuar se marrëdhëniet me SPS janë dëmtuar dhe paralajmëroi takimin e sotëm me Daçiqin, ku do të diskutohej për marrëdhëniet e partnerëve të koalicionit.
Ndryshe, partia e Vuçiqit dhe Daçiqit edhe në mandatin e kaluar kanë udhëhequr së bashku shtetin serb. /Telegrafi/