Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i ka tërhequr vërejtjen Londrës zyrtare se Serbia nuk do ta shikojë me “sy të mirë” nëse Mbretëria e Bashkuar, në gusht, kur pritet të kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së në rendin e ditës të vendosë çështjen e seancave mbi gjendjen në Kosovë.
Sipas gazetës “Novosti”, përcjell Telegrafi, një qëndrim të tillë të Beogradit, Daçiq ia ka përcjellë ambasadorit britanik në Serbi Denis Kifu.
“Pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar rreth takimeve për Kosovën është i papranueshëm për ne, veçanërisht pasi ata në korrik do të presin samitin e Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor, ku përsëri do të flitet për stabilitetin në rajon”, citohet të ketë thënë Daçiq.
Sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, e cila shqyrton raportin e Sekretarit të Përgjithshëm mbi situatën në Kosovë, mbahen çdo tre muaj.
Por, sipas mediave serbe, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë bashkuar me katër anëtarët e tjerë perëndimorë të Këshillit të Sigurimit për të avokuar për ndryshim në formatin e seancës dedikuar për Kosovën, e cila është kundërshtuar nga Rusia, Kina dhe Serbia. /Telegrafi/