Site icon Telegrafi

Daçiq “garanton” se do ta reduktojë nën 100 numrin e njohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se qëllimi i tij është që numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të reduktohet nën 100.

Në një intervistë për gazetën “Politika”, Daçiq tha se ka formuar një ekip njerëzish, i cili merret vetëm me çështjen e zvogëlimit të numrit të vendeve që kanë njohur Kosovën, duke potencuar se, për të, ky është prioritet në aktivitetin politik të Serbisë.

I pyetur nëse ekzistojnë gjasat reale ta bëjë këtë, Daçiq tha se “garanton” diçka të tillë.

“I pari fillova të punoj në atë drejtim që vendet ta tërheqin njohjen … Njerëzit nga Fixhi nuk e kanë idenë se e kanë njohur Kosovën. Disa madje as nuk e kanë njohur, kurse ndodhen në listën që e ka ministria e jashtme e Kosovës”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se Ministria e Jashtme po punon për të reduktuar numrin e njohjeve, por edhe ministritë e tjera duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështje.

Duke komentuar rëndësinë e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, Daçiq tha se askush nuk e di se çfarë përfaqëson ajo marrëveshje.

Lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, ministri tha se mendon se nuk ka asnjë person në Bashkimin Evropian, i cili arsyeton faktin se Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin.

Daçiq tha se “BE do të bëjë presion për formimin e Asociacionit, sepse kjo është premtuar”.

Shefi i diplomacisë serbe tha se varet nga pala serbe nëse më 20 prill serbët e Kosovës do ta formojnë Asociacionin. /Telegrafi/

 

Exit mobile version