Site icon Telegrafi

Daçiq: Ambasadori amerikan të mos përzihet në punët e brendshme të Serbisë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha të enjten se ambasadori amerikan, sikurse edhe ambasadorët e tjerë nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë.

Ai i bëri këto komente pas reagimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili lavdëroi ditë më parë një ish gjeneral serb për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.

Ministri serb Vulin fundjavën që lamë pas foli në një takim të ish ushtarakëve të batalionit të tretë të Armatës Jugosllave në të cilin morën pjesë edhe Vladimir Lazareviç, ish shef i shtabit të armatës jugosllave në Prishtinë dhe Nikola Shainoviç, ish zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, që të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Ambasadori amerikan, Kyle Scott shkroi në rrjetin social twitter se “për fat të keq, muaj të tërë të punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtohen nga një deklaratë”.

Ministri serb, Vulin, tha se Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish gjenerali Lazareviç, është njeri i lirë.

Ish gjenerali serb Vladimir Lazareviç dhe politikani, Nikola Shainoviç, qenë dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë së cilës i vranë mbi 10 mijë veta, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë. Lufta gati dy vjeçare në Kosovë mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Të enjten shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Duke theksuar se ai e ka “vuajtur dënimin me burg”, ministri serb tha se “kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do ta vuaj atë, ndërsa Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhetë gati të bëhet president i Kroacisë, ndërsa e patë se tash edhe Naser Oriç, u lirua nga akuzat”, tha ai.

Komentet e ministrit serb Daçiq, u bënë gjatë punimeve të “Forumit të Beogradit për Siguri”, në të cilin po merr pjesë edhe zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, për të diskutuar në temën “Partneriteti NATO-Serbi, ndihmon sigurinë në Ballkanin Perëndimorë”.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha në këtë forum se Serbia është partner i besueshëm i NATO-s, por, do të vazhdojë të mbetet e paanshme nga pikëpamja ushtarake.

Ajo ritheksoi synimin e Serbisë për integrime evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën, aleate tradicionale e Serbisë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se sfida kryesore e sigurisë është Kosova “të cilën Serbia e përjeton emocionalisht”.

Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Moghernini, tha të mërkurën se pret përparim të dukshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Serbia hapi në janar të vitit 2014 bisedimet për anëtarësim si rezultat i bisedimeve me Kosovën e cila ndërkaq nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese.

Exit mobile version