Telegrafi

Dacic: Kur shqiptarët shkojnë deri në Fixhi, ne duhet urgjentisht t’i dërgojmë emisarët në vendet islamike

Dacic, në televizionin serb “TV Prva” ka thënë se Kosova e pavarur është pranuar nga Pakistani, dhe nëse këtë e bënë edhe Egjipti, Serbia do të ketë pasoja të rënda.

"Nuk e di a jemi të vetëdijshëm se jemi në situatë të humbur. Pakistani e ka njohur pavarësinë e Kosovës. A po merret dikush me shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj?", pyeti Dacic.

Ai theksoi se vëmendja duhet të përkushtohet në këtë temë, duke shtuar se p.sh. Fixhi, që është shtet i vogël, e ka pranuar pavarësinë vetëm pse përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë kanë shkuar dhe lobuar atje.

"Unë jam i sigurt se 99 për qind e qytetarëve serbë nuk e di se ku është Fixhi, siç nuk e dinë qytetarët e këtij shteti se ku është Serbia dhe Kosova. Çka ua ndien atyre për problemet tona. Por, ai që ka shkuar atje, a është Pacolli apo dikush tjetër, ka ofruar bursa, pajisje teknike dhe kanë mbaruar punë”, ka shtuar ai.

Ai shtoi se përfaqësuesit e Serbisë, për dallim nga përfaqësuesit e Kosovës, mendojnë se mjafton që vetëm të shfaqen e të “shpjegojnë ngjarjet që nga Beteja e Kosovës e deri këtu”.

"S’ka gjë nga kjo. Ose ne të bëjmë politikë reale, ose politikën që e ka vendin në letërsi. Ne mund ta bëjmë edhe këtë politikë, pjesa më e mirë e së cilës është të humbim ndershëm, por unë nuk dua të marrë pjesë në atë betejë. Dua të fitojmë, sepse këtij shteti i duhen fitoret dhe rezultatet”, porositi Dacici. /Telegrafi/