Site icon Telegrafi

Daçiq: Serbia do ta pranonte korrigjimin e kufirit me Kosovën, por nuk po na japin veriun  

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë menjëherë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Ai beson se qytetarët e Serbisë  do ta mbështesin propozimin për demarkacionin [korrigjimin] e kufirit me Kosovën.

Shefi i diplomacisë serbe, ashtu sikurse edhe presidenti Vuçiq, ka paralajmëruar se dialogu do të rifillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, kurse është paraparë që më 22 qershor Beogradin ta vizitojë Miroslav Lajçak – emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa të nesërmen presidenti serb do të udhëtojë në Moskë e tri ditë më vonë në Uashington.

Daçiq, ka thënë për televizionin serb ‘TV Prva’, se qytetarët e Serbisë do ta përkrahnin propozimin e Beogradit zyrtar për një korrigjim të kufirit me Kosovën, që sipas tij do të nënkuptonte ndarjen e veriut të Kosovës, përcjell Telegrafi.

“Kjo nuk është diçka që ne kemi, është diçka për të cilën duhet të luftojmë. Ne nuk kemi pushtet faktik në Prishtinë, por as ata nuk e kanë pushtetin faktik në veriun e Kosovës … Parashikimet janë se bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina nuk duan ta japin as këtë. Ne kemi bërë që të arrihen 18 tërheqje të njohjeve të Kosovës. Ata tani nuk kanë shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara “, tha Daçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version