Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka vlerësuar se presidenti Hashim Thaçi është personi i duhur për udhëheqjen e negociatave në dialogun me Serbinë. Ai e ka çmuar lart rolin e Thaçit në Rambuje.
“Unë kam thënë shumë herë pas vdekjes së Rugovës, është i pakontestueshëm për pozitën që e ka tani, për pozitën e kryenegociatorit, ose udhëheqësit të delegacionit”, tha Daci, në Info Magazine në Klan Kosova.
“Ka një ekuivalencë të pozitave në finalen e negociatave ose të negociatave ndërshtetërore. Nëse pala më e fuqishme, në këtë rast është Serbia, e ka prizë presidentin atëherë as Kosova dhe as ndërkombëtarët nuk mund ta ndërrojnë pozicionin e Serbisë. Por, edhe po patën mundësi ta ndërrojnë, po ju them me bindje të thellë, me përkushtim të plotë, mendoj se presidenti duhet t’i prijë negociatave, por jo i vetëm dhe pa një koncept te formuar paraprakisht”.
Akademik Nexhat Daci gjithashtu e vlerësoi lartë kontributin e Thaçit në Rambuje si dhe në proceset transformuese të UÇK-së.
“Proceset që kanë ndodhur në Rambuje, kur Kosova ka dalë më e mençur sesa Serbia, është meritë kryesore e Thaçit. Në të gjitha proceset prej paraqitjes së parë të UÇK-së dhe transformimit të saj që nuk kanë qenë të lehta, është kontribut i pakontestueshëm i Thaçit”, tha Daci.
Daci i ka quajtur si të pabaza shqetësime se kreu i negociatave me Serbinë, Hashim Thaçi, mund të bëjë veprime anti-kushtetuese.
Sipas Dacit jo vetëm Thaçi mirëpo secili individ i cili bën ndonjë lëvizje jashtë vijave kushtetuese, ka mekanizma shtetëror që ai individ të mënjanohet nga procesi.
Ai ka vënë në pah se LDK-ja mundësoi zgjedhjen e Thaçit president dhe se përmes mekanizmave shtetëror edhe mund ta shkarkojë.
“Po ju them një gjë që nuk po më pëlqen në partinë time ku jam formuar politikisht, në LDK. Unë e di shumë mirë procesin e votimit për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e parë ka pasur shumë pak vota dhe indikacionet ishin që nëse vazhdon ashtu nuk do të zgjidhet. Pikërisht është udhëheqja e LDK-së dhe deputetët që në raundin e dytë i kanë dhënë numër të mjaftueshëm të votave që të zgjidhet presidenti”.
“Nëse e kemi pasur atë mundësi ta zgjedhim e kemi të njëjtën mundësi ta shkarkojmë me procedurë të rregullt”.
Daci ka theksuar se presidenti i Kosovës është zgjedhur nga Parlamenti dhe pikërisht parlamenti edhe mund ta shkarkojë atë.