“Cypress Hill” do të vijë me albumin e ri, “Elephants On Acid”, pas pauzës tetëvjeçare. Ndërsa kënga paralajmëruese titullohet “Band of Gypsies”, bën të ditur NME.
Albumi i ri do të lansohet më 28 shtator, ndërsa veç tij, grupi ka paralajmëruar edhe turneun dimëror në Britani të Madhe, ku do të mbajë koncerte në Mançester, Leeds, Glasgou, Birmingham dhe Londër.
Në një prononcim për NME, Sen Dog ka thënë se kanë dashur të bëjnë diçka të re që dallon nga albumi i fundit.
“Jo se nuk na ka pëlqyer albumi i ri, por kemi dashur diçka me vibracionet e zakonshme të ‘Cypress Hill’, gjë që e kemi arritur! Është një album Cypress Hill nga fillimi deri në fund”, ka thënë ai.
Në albumin e ri kanë bashkëpunuar me DJ Muggs, i cili edhe e ka dhënë idenë për emrin.
Sen Dog ka thënë se albumi i ri do të ketë stilin e ngjashëm të grupit nga fillet e veta, në vitet e nëntëdhjeta.
“(Asokohe) tingëllonim sikur ne, ndërsa ky është vetëm një vazhdim”, është shprehur 52-vjeçari.
“Gjithçka është e mundur kur takohemi Muggs, B-Real dhe unë. Tash jemi burra të rritur, por kimia vazhdon të jetë e njëjta”, ka shtuar ai. /Telegrafi/