Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, Curri si opsion ka edhe Ukrainën. Aktualisht futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë është futbollist i lirë, pasi kohë më parë ka shkëputur kontratën me skuadrën ukrainase Hoverla Uzhhorod. Curri te kjo skuadër u transferua para fillimit të këtij edicioni, por u largua për shkak se ishte i pakënaqur me minutazhin e ofruar dhe se u degdis në ekipin dytë nga ana e trajnerit. Ai regjistroi vetëm pesë paraqitje në kampionatin ukrainas.
“Edhe pse insistonin të më ndalnin, e shkëputa bashkëpunimin për shkak se nuk isha i kënaqur. Unë atje u transferova për të luajtur dhe jo për të qëndruar në stol”, ka thënë Curri, i cili konfirmoi negociatat me ekipet ruse dhe ukrainase, por nuk zbuloi emrat e tyre.
“Menaxheri im është në negociata me ekipe nga Rusia dhe Ukraina, por ende nuk kemi vendosur asgjë. Në janar, sipas të gjitha gjasave, do të transferohem në Rusi, nëse jo në ndonjë ekip të Ukrainës”, tha Curri.
Ai beson se vitin tjetër do të jetë më i suksesshëm dhe do të arrijë formën e tij më të mirë. Curri, tashmë ka lënë pas vetes lëndimet, të cilat e patën munduar kohët e fundit.
“Është me rëndësi që tani jam mirë dhe nuk kam më lëndime, të cilat më munduan dhe nuk më lejonin që të përgatitesha. Tani kam mundësinë gjatë fazës përgatitore të janarit dhe të jem në formën më të mirë”, është shprehur Curri. /Tribuna/Telegrafi/