Telegrafi

Çuni drejt largimit nga Bayerni për në Serie A, kampioni gjerman do të ruaj përqindje nga shitja e ardhshme

Marvin Çuni pritet ta bëj hapin e madh në karrierë, duke vazhduar në elitën e futbollit italian Serie A.

Sulmuesi shqiptar ka dalë nga akademia e Bayern Munichut, por në tre vitet e fundit ka qenë i huauzar te skuadrat si SG Sonnenhof Großaspach, Paderborn dhe Saarbrucken.

21-vjeçari ka zgjuar interesimin e skuadrës italiane Frosinone që është rikthyer në Serie A dhe drejtohet nga trajneri Eusebio Di Francesco.

Calciomercato ka raportuar se filozofia e klubit mbetet e njëjtë të punojë me futbollistë të rinj dhe Çuni shihet si ideali për repartin ofensivë.

Çuni është ende pjesë e Bayern Munichut, derisa lojtari shqiptar ka arritur një marrëveshje personale me Frosinonen për një kontratë tre vjeçare.

Tani dy klubet do të futen në bisedime për të gjetur marrëveshje për çmimin, derisa Bayerni pritet ta ruaj 50 për qind të kartonit të tij.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Shqiptarët nëpër botë

Talenti shqiptar së fundmi ka qenë i huazuar te Saarbrucken ku realizoi 13 gola dhe asistoi në katër të tjerë në 35 ndeshje.

Çuni ka luajtur për grupmoshat e Shqipërisë, derisa transferimi në Serie A sigurisht që do të bënte të ftohej edhe në Kombëtaren A. /Telegrafi/