“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në kuadër të ligjit do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet në drejtim për të siguruar zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, si dhe për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve”.
Këtë e tha sot ministri teknik i Punëve të Brendshme Naqe Çulev, i cili realizoi takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në lidhje, me listat zgjedhore, ministri Çulev potencoi se nga ana e MPB-së do të ndërmerren të gjitha detyrimet ligjore dhe ai në kohë do të dorëzohet tek KSHZ-ja.
Siç kumtuan nga MPB, Çulev ka thënë se në prag të zgjedhjeve të gjithë zyrtarët policor do të kalojnë trajnim të duhur, ndërsa në dispozicion do u vihen edhe burime teknike shtesë që do të jenë të nevojshme për kryerjen e papengesë të detyrave të punës.
Në takimin me anëtarët e KSHZ-së, ministri Çulev duke theksuar se bashkëpunimi me MPB-në dhe KSHZ-në është jashtëzakonisht i mirë, theksoi se ministria edhe në të ardhmen qëndron në dispozicion për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Kryetari i KSHZ-së i falënderoi për bashkëpunimin e mirë me MPB-në, e cila është me rëndësi të veçantë për shkëmbimin e informacioneve dhe zbatimin e suksesshëm të të gjithë procesit zgjedhor./Telegrafi/