Bukurije Dauti
Kësaj vere vendosa të shkoj në Ulqin së bashku me motrën time dhe dy fëmijët e saj. Besoj që shumë njerëz, sikur edhe unë, ngazëllehen në një masë para çdo udhëtimi. E, udhëtimeve më së shumti ju gëzohen fëmijët.
Morëm vendim që të udhëtonim me autobus. I siguruam biletat në kompaninë ‘Përparimi’. Mendoja se kësaj radhe udhëtimi do të ishte interesant, pasi që bëhej me autobus, me të cilin mjet nuk kisha udhëtuar në distancë të largët për një kohë të gjatë.
Nga Gjilani autobusi u nis në mbrëmjen e datës 6 gusht (ora 9:00). Disa minuta pas nisjes, nisi të binte një shi i madh. Vazhdimi i shiut është fakt brengosësh kur nisesh për det, pasi që ekziston mundësia të mos dalësh në plazh.
Por, ajo që ndodhi në autobus na bëri që ta harrojmë detin. Ende pa mbërri në Ferizaj, kah fundi i autobusit, mbi kokat tona, nisi të pikonte ujë që binte nga kulmi i autobusit. Kjo krijoi një habi për të cilën menduam se do të kalonte shpejt. Por, ndodhi e kundërta. Në të dy anët e pjesës së pasme të autobusit, majtas dhe djathtas, shiu depërtonte brenda – me të madhe. Uji mblidhej diku mbi autobus dhe hynte brenda me sasi të mëdha, sikur të rridhte nga ndonjë qep i një rezervari të madh. Vajza e vogël e motrës, pasi ishte lagur dhe nga tollovia që u krijua në autobus, filloi të qante.
Shkova te shoferi me qëllim që ta njoftoja për problemin. Shoferi nuk dëshiroi të dëgjonte, por pas pak minutave, pasi hymë në Ferizaj, e ndali autobusin. Menduam se u ndal që të merrej me problemin e rrjedhjes se shiut por, siç doli, kjo nuk ishte arsyeja. Motra ime kërkoi nga shoferi dhe konduktori që të ndërrohej autobus,i pasi kështu nuk mund të vazhdonim udhëtimin. Shoferi na e dha një numër të telefonit në të cilin do ta kontaktonim shefin e kompanisë dhe t’i ankoheshim atij. E provuam disa herë numrin, por askush nuk e hapi telefonin. Kur shoferi e ndezi autobusin për të vazhduar rrugën, ne kundërshtuam. Për këtë arsye shoferi e humbi durimin dhe filloi të bërtiste me të madhe: “Zonja, nuk kam çka me ba”.
Kur dolëm nga Ferizaj, ktheva kokën nga fundi i autobusit dhe pashë një skenë sa të pakëndshme aq edhe komike. Kur vetëtima e ndriçonte brendinë e errët të autobusit, vërehej uji i mbledhur i shiut I cili shkëlqente në dysheme. Valët e ujit shkonin anash, djathtas-majtas, apo para mbrapa, varësisht nga pozita që merrte autobusi në lëvizje. Disa udhëtarë që kishin insistuar të qëndronin ulur në karriget e lagëta qull, i kishin hapur ombrellat. Situatë e pabesueshme. Njerëzit me ombrella mbroheshin nga shiu brenda autobusit.
U ankova edhe një herë, por kot, pasi shoferi kishte vendosur të bëhej i shurdhër ndaj ankesave tona.
Shiu vazhdoi derisa kaluam Prizrenin, kurse ne nuk kishim mundësi të dilnim pasi që po i afroheshim mesnatës dhe nuk shihnim ndonjë hotel afër.
Sjelljet e papranueshme të shoferit i harrova kur fillova të vëreja qëndrimin e çuditshëm të udhëtarëve. Pos meje dhe motrës sime, askush nuk e foli asnjë fjalë ndaj gjendjes së jashtëzakonshme që e kaploi autobusin dhe në të cilin gjendeshin edhe ata. E pyesja veten se si është e mundur që njerëzit të bëhen qull e kjo të mos i pengojë? Madje, disa prej tyre filluan të na shikonin me habi e përbuzje. Sikur donin të na thoshin: ‘Çka keni? Pse po ankoheni’?
Kjo indiferencë e tyre ishte vërtetë brengosëse. Shumë prej tyre, sikur edhe unë, qëndronin në këmbë duke u mbajtur për pjesët e epërme të karrigeve pasi që nuk kishim ku të uleshim. Këtë mundim të panevojshëm ata e merrnin si të arsyeshëm. Kishte njerëz në moshë që vazhduan udhëtimin në këmbë e askush nga të rinjtë që ishin ulur nuk tregoi solidaritet ndaj tyre.
Autobusët, për fat të keq, ndodhë që prishen, por ky rast tregoi se kompania ‘Përparimi’ nuk bëhet merak nëse ndodhë kjo gjë. Duket që kjo kompani nuk ndjen përgjegjësi për paratë që ua merr udhëtarëve dhe për të cilët nuk ndjen obligim.
Në këto rrethana m’u kujtua një rast i ngjashëm. Para disa vitesh, kur kthehesha nga Kosova, udhëtova me autobus nga një aeroport i Londrës për në shtëpi. Rrugës, papritmas, u ndal autobusi. Edhe në Londër prishen autobusët, natyrisht. Por, në këtë rast kishte zgjidhje. Kur shoferi konstatoi që nuk ndreqet autobusi, duke kërkuar falje e kontaktoi kompaninë dhe si rezultat, pas pak minutave, u radhitën taksitë pas autobusit për të na dërguar nëpër shtëpi. Pas disa ditësh, kompania e autobusëve, si kompliment apo mënyrë për të kërkuar falje me shkrim, kishte dërguar kuponë me vlerë të parave që i kishim harxhuar për bileta dhe të cilat mund t’i shfrytëzonim si mjet pagese në një zinxhir shitoresh. Këtë natyrisht që nuk e prisja nga ‘Përparimi’ ,por së paku mund të trajtoheshim në mënyrë njerëzore e cila gjë mungoi.
Kur mbërritëm në Ulqin, herët në mëngjes, udhëtarët dilnin të lagur nga autobusi kurse shoferi e as konduktori nuk treguan ndonjë keqardhje siç e kërkojnë rregullat.
Në fund, pas çdo udhëtimi dhe shfrytëzimi të shërbimeve, duhet bërë rekomandime: U rekomandoj të gjithë atyre që dëshirojnë të udhëtojnë për Ulqin me kompaninë ‘Përparimi’ të marrin me vete qese të najlonit (për t’i mbështjellë karriget) dhe ombrella që ta mbrojnë vetën nga shiu. Nga ekipi i autobusit nuk duhet të pritni që të merrni përkrahje edhe nëse të drejtat tuaja të konsumatorit shkelen rëndë. Po ashtu, nuk duhet të pritni përkrahje as nga bashkudhëtarët.