Fëmija nëntëvjeçar i cili me rastin e lindjes ishte infektuar me virusin HIV, ka kaluar shumicën e jetës pa kurrfarë barnash, ndërkaq sëmundja nuk është shfaqur, theksojnë mjekët e Republikës së Afrikës së Jugut, transmeton BBC.
Fëmija, identiteti i të cilit është i mbrojtur, ka marrë tretman të fuqishëm të barnave menjëherë pas lindjes, dhe që tashmë tetë vjet e gjysmë nuk merr kurrfarë terapie.
Në atë kohë, nuk janë zhvilluar kurrfarë simptomash, mirëpo as mjekët nuk janë në gjendje të gjejnë gjurmë të virusit aktiv.
Fjala është për rastin e tretë në të cilin fëmija, i ekspozuar terapisë së hershme pas lindjes, ka vazhduar të jetojë pa pasur nevojë për barna, transmeton Telegrafi.
Shumica e të sëmurëve me virusin HIV duhet patjetër të marrin një koktej barnash, në mënyrë që të mbrojnë sistemin e tyre të imunitetit.
Dy rastet e para kanë ndodhur në shtetin amerikan Mississipi, ku fëmija ka marrë terapinë e parë pas lindjes dhe se virusi është shfaqur vetëm 27 muaj më vonë, dhe në Francë, ku që nga terapia e parë tashmë kanë kaluar 11 vjet pa u shfaqur virusi
– Nuk e dimë përse sëmundja është tërhequr te ky fëmijë, ka thënë dr. Amy Violari, pediatër nga Johannesburgu, i cili udhëheq Qendrën për Hulumtime natale të HIV-it.
– Besojmë që fjala është ose për faktorin gjenetik, ose për diçka që ka të bëjë me sistemin e imunitetit, ka thënë mjeku.
– Disa njerëz në mënyrë natyrale më mirë e përballojnë HIV-in, mirëpo nëntëvjeçari nga Afrika Jugore gjoja është ndryshe nga të gjitha rastet e shënuara deri tani.
Mjekët shpresojnë se, po të zbulonin se shkaktarin e rezistencës së tij, do të mund të ishin në prag të zbulimit të ilaçit, kundërtrupave apo vaksinave të cilat do të mund t’u ndihmonin pacientëve të tjerë. /Telegrafi/