Site icon Telegrafi

Çudi në burgjet e Kosovës: Tentim-vetëvrasja me qëllim transferimin

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, duke folur për Shërbimin Korrektues të Kosovës, në emisionin “Puls” të KTV-së, ka thënë se burgu i sigurisë së lartë në Gërdovc, është më i sigurti dhe me nivelin më të ulët të kontrabandës.

Sipas tij, ky burg i plotëson të gjitha kriteret dhe menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pasë parasysh faktin se aty janë të dënuarit me rrezikshmëri të lartë dhe me dënime të larta.

Si fenomen në burgjet e Kosovës, Zogaj thotë të jetë krijuar çështja e tentim-vetëvrasjeve.

“Është krijuar si fenomen çështja për tentim-vetëvrasje. Të burgosurit ka raste kur bëhen kine po kryejnë vetëvrasje, vetëm për t’u transferuar në burgje tjera”, thotë ai, raporton Koha.net.

Ndërkaq, duke folur për çështjen e futjes së telefonave nëpër burgje, Zogaj thotë se ky fenomen ndodhë në Dubravë, por shton se kjo çështje bëhet për biznes. Ndërkaq, shton se në burgun e sigurisë së lartë janë anti-zhurmuesit që nuk lejojnë valët e telefonave mobilë.

“Kush kapet, dënohet. Në burgun e sigurisë së lartë s’ka shans me hy telefoni”, theksoi ai, duke shtuar se në atë burg ka dëshmitar të mbrojtur.

“Ata janë në mbikëqyrje të prokurorisë”, thekson ai.

Exit mobile version