Telegrafi

Cuadrado largohet nga Juventusi pas tetë vitesh: 314 ndeshje, 11 trofe

Juan Cuadrado largohet zyrtarisht nga Juventusi, pasi anësorit kolumbian i ka skaduar kontrata me bardhezinjtë dhe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kolumbiani njoftoi lamtumirën mes palëve.

Cuadrado ka qëndruar për tetë vite te Juventusi, ku sukseset ishin të shumta.

“Kemi luftuar së bashku 314 herë, duke fituar 11 trofe”, shkruan ndër të tjera Cuadrado në rrjetet sociale, duke falënderuar familjen bardhezi, ku kaloi 8 vite jo pak të suksesshme.

“Kanë qenë 8 vite plot gëzim, rritje konstante dhe punë të vazhdueshme, por edhe buzëqeshjeje, energjie pozitive, kërcimi, batutash e shakash në dhomat e zhveshjes”, vijon më tej Cuadrado.

 

Anësori kolumbian iu bashkua Juventusit në verën e 2015-ës, fillimisht në huazim dy-vjeçar nga Chelsea dhe më pas duke u transferuar plotësisht te bardhezinjtë, teksa në 8 sezone ia doli të fitojë shumë, duke mbajtur madje edhe shiritin e kapitenit.

Tashmë kolumbiani është një lojtar i lirë të vendosë për të ardhmen e tij, që me shumë gjasë do të vijojë të jetë në kampionatin italian, aty ku ka kaluar pjesën dërrmuese të karrierës sportive./Telegrafi/