Telegrafi

Cuadrado kërkon falje për shakanë në postimin përkujtimor të lojtarit të ndjerë të Juves

Adrien Rabiot, Juan Cuadrado, Andrea Fortunato (Foto: Getty Images/Guliver/Instagram)

Juan Cuadrado ka kërkuar falje për një shaka pa dashje që e kishte bërë në një postim në Instagram që kujtonte Andrea Fortunaton, një ish-lojtar i Juventusit, i cili vdiq nga leukemia para 25 vitesh.

Mbrojtësi i majtë që ishte transferuar te Bianconerët nga Genoa, ndërroi jetë më 25 prill 1995 në moshën 23 vjeçare.

Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, Juventusi kishte bërë një postim në Instagram për ta kujtuar lojtarin.

Cuadrado komentoi në postim duke e etiketuar bashkëlojtarin e tij, Adrien Rabiot, me fjalët: Rabiot, a je ti!”, duke iu referuar ngjashmërisë mes stilit të tyre të flokëve.

Mirëpo, pasi e ka kuptuar gabimin e tij, kolumbiani ka kërkuar falje duke bërë një postim në faqen e tij në Instagram.

“U kërkoj falje të gjithë tifozëve të Juventusit për postimin ku komentova. E pash vetëm fotografinë duke mos e lexuar se çfarë po ndodhte: ‘E shikova dhe mendova se e pash Rabiotin. Më vjen keq”, ka shkruar Cuadrado. /Telegrafi/

(Foto: InstaStory/cuadrado)