Telegrafi

Cristiano Ronaldo nuk e pranoi shiritin e kapitenit duke ia dhënë Matuidit – portugezi merr lëvdata të mëdha për gjestin

Cristiano Ronaldo është rikuperuar plotësisht nga një dëmtim në gju, duke arritur  të shënojë dy herë në fitoren e Juventusit me rezultat 3-1 ndaj Udineses.

Zonja e Vjetër tani së bashku me Interin, janë në krye të renditjes me nga 39 pikë në ndjekje të Scudettos.

Me dy golat e shënuar Ronaldo theu edhe një tjetër rekord, duke qenë i vetmi që ka shënuar mbi 10 gol në 15 sezonet e fundit.

Por Ronaldo u vlerësua për një gjest tjetër, që e bëri gjatë lojës kur iu dorëzua emblema e kapitenit nga Gonzalo Higuain.

Argjentinasi u zëvendësua pak para mbylljes së ndeshjes me Douglas Costas dhe e mbante shiritin e kapitenit, që e kishte marr nga Leonardo Bonucci, i cili ishte larguar më herët nga loja.

Por në vend që ta vendoste në fanellën e tij, Ronaldo e mori shiritin dhe ia vendosi në dorë Blaise Matuidi, një shenjë e të kuptuarit të tij për hierarkinë në dhomën e veshjes te Juve.

Matuidi u ndje i nderuar nga gjesti i Cristiano Ronaldos, duke postuar edhe një foto në rrjetet sociale.

“Klas botërore. Faleminderit për këtë nderim”, ka shkruar francezi.

Kapiteni i Juves, Girgio Chiellini, ka qenë jashtë fushave këtë vit dhe për shumë ndeshje ka qenë Bonucci ai që e ka udhëhequr ekipin në fushë. /Telegrafi/