Cristiano Ronaldo vazhdon të zhvillojë lidhjet e tij të biznesit jashtë fushës.
Që kur u largua nga Manchester United për të nënshkruar kontratë me ekipin Al Nassr të Arabisë Saudite, futbollisti portugez ka investuar në mënyrë të qëndrueshme pasurinë e tij në mundësitë e biznesit që i vijnë.
Tani ai është bërë aksioner i kompanisë ‘Chrono24’, që shet ora luksoze.
“Kemi një lajm të mrekullueshëm për adhuruesit e orës në mbarë botën: Cristiano Ronaldo është bërë aksioneri ynë”, njoftoi ‘Chron24’, por nuk bëri të ditur se sa para investoi portugezi apo sa përqind e aksioneve mori.
“Pasioni i tij për orët është kombinuar me gjenialitetin e biznesit dhe kjo është një ditë e mrekullueshme për ne, por edhe për të gjithë komunitetin e adhuruesve të orës”, shtoi ‘Chron24’.
Kjo kompani ofron rreth 530 mijë orë, dhe Ronaldo, si një adhurues i madh i orëve luksoze, vendosi të investojë paratë e tij në zhvillimin shtesë të kompanisë.
Në maj, për shkak të dashurisë së tij për orët, ai tashmë hyri në një marrëveshje biznesi. Më pas kompania “Jacob & Co” prezantoi një orë me imazhin e tij, e cila mund të blihet në dyqanin e tyre online për 28 mijë dollarë (24,800 euro).
Koleksioni privat i orëve të Ronaldos vlerësohet në rreth gjashtë milionë euro.
Ora më e vlefshme që disponon është ajo e kompanisë “Franck Muller”, Van Cleef & Arpels me 474 diamante, me vlerë rreth 1.8 milionë euro, si dhe është edhe një orë “Hubot” me vlerë rreth 900 mijë euro. /Telegrafi/