Site icon Telegrafi

Crespo tashmë pranon faktin se Lautaro do t’ia thyej rekordin e golave me Argjentinën

Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, Hernan Crespo, e ka pranuar tashmë faktin se Lautaro Martinez do ta kalojë atë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Argjentinës, pasi kapiteni aktual i Nerazzurrëve barazoi numrin e golave të legjendës, Diego Maradona, kundër Perusë të mërkurën.

Martinez është tani në shifrën e 32 golave për Argjentinën nga gjithsej 70 paraqitje, gjë që e barazon atë me Maradonën, i cili shënoi të njëjtin numër golash nga 91 paraqitje ndërkombëtare.

‘El Toro’ ka shënuar në të tre ndeshjet e fundit të kombëtares së tij dhe gjithashtu ka përfunduar si golashënuesi më i mirë në edicionin 2024 të Copa America, me pesë gola nga gjashtë ndeshje.

Martinez dhe Maradona janë aktualisht të pestit në listën e të gjitha kohërave të golashënuesve më të mirë të Argjentinës. Crespo është i radhës në listë me 35 gola, vetëm tre më shumë se Martinez në moshën 27-vjeçare.

Lexo po ashtu Lautaro Martinez barazon rekordin e golave të Maradonës për Argjentinën

Duke folur në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Crespo ishte i gatshëm të pranonte se Martinez do ta kalojë atë në të ardhmen e afërt.

“Unë kam 35 gola, ai 32. Unë nuk luaj më dhe ai po. Historia tashmë është shkruar”, ka thënë fillimisht Crespo për gazetën italiane.

“Megjithatë, jam vërtet i lumtur për të, sepse ai është barazuar me Maradonën në shifrën e 32 golave dhe ky është një moment historik i artë në Argjentinë”.

“E mbaj mend ende ditën kur barazova Diegon, në vitin 2006 në Kupën e Botës në Gjermani kundër Meksikës. Këndorja e Riquelmes, vura këmbën në shtyllën e parë. Kujtime të shkëlqyera”, përfundoi ish-sulmuesi argjentinas. /Telegrafi/

Exit mobile version