Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se qyteti më i madh i vendit, Auckland do të hyjë në bllokim shtatë-ditor nga e diela, pas një rasti me coronavirus brenda komunitetit me origjinë të panjohur.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, pjesa tjetër e Zelandës së Re do të vendoset në masat e nivelit të dytë që parashihet kufizimi i tubimeve publike.
Në mes të muajit shkurt, gati 2 milionë banorë të Auckland u vendosën në bllokim tre-ditor pasi një familje prej tre personash u diagnostikua me variantin britanik të coronavirusit.
Për të menaxhuar luftën ndaj pandemisë së coronavirusit, Zelanda e Re filloi ditë më parë me fushatën e vaksinimit.
Vendi deri më tani ka regjistruar 2,372 raste nga virusi vdekjeprurës si dhe 26 viktima. /Telegrafi/