Pulmologu Besim Morina, thotë se Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është ballafaquar me sfida të mëdha gjatë pandemisë.
Morina tha se ka mungesë të mjekëve, të stafit të mesëm dhe infermierëve.
“Në Pulmologji sfidat janë të njëjta që nga fillimi i pandemisë. Është volumi i madh i punës që e kemi, fluksi i madh i pacientëve që paraqitet dhe numri i vogël i punëtorëve shëndetësor ose i stafit. Kemi mungesë të mjekëve edhe të stafit të mesëm pra infermierëve. Në momentin që ne mbulohemi me staf atëherë kemi një lehtësim shumë më të madh në punë. Sfida e dytë normalisht është hapësira domethënë gjithmonë kemi nevojë për shtretër shtesë për pacientë që kanë nevojë të vijnë në Pulmologji”.
Ai shtoi se Covid-19 nuk lë pasoja në sistemin respirator, duke shtuar se vetëm një grup i vogël i pacientëve që kanë sëmundje të rëndë në mushkëri, pneumoni shumë të rëndë ata mund të kenë pasoja.
“Shumica e njerëzve që kalojnë sëmundjen Covid-19 nuk kanë pasoja në sistemin respirator. Vetëm një grup i vogël i pacientëve që kanë sëmundje të rëndë në mushkëri, pneumoni shumë të rëndë ata mund të kenë pasoja edhe më vonë. Pasojat e prekin traktin respirator dhe mund të kenë probleme me frymëmarrje ose me simptoma të frymëmarrjes”.
Morina tha se nuk do të ketë doza mjaftueshëm të vaksinave, duke rekomanduar që të vaksinohen pacientë që janë me rrezikshmëri shumë të lartë, duke përfshirë pacientë në moshë të shtyer.
“Ministria e Shëndetësisë vetëm i ka siguruar një numër të caktuar të vaksinave. Me siguri në fillim nuk do të kemi mjaftueshëm doza të vaksinohen të gjithë ata që kanë nevojë, por do të zgjedhën grupe të caktuara të popullatës të cilët do të vaksinohen së pari”.
“Normalisht rekomandohet që të vaksinohen pacientë që janë me rrezikshmëri shumë të lartë, këtu përfshihen pacientë në moshë të shtyrë dhe me sëmundje shoqëruese siç janë diabeti dhe sëmundjet kardiovaskuale. Pastaj kur të kryhet ky grup i pacientëve vijnë me radhë pacientë që kanë rrezikshmëri më të vogël dhe eventualisht sipas të gjitha rekomandimeve çdokush nga popullata jonë duhet të vaksinohet”, tha Morina.