Site icon Telegrafi

Covid-19: Franca mund të ketë një valë të katërt në vjeshtë, paralajmëron këshilltari qeveritar

Franca ka të ngjarë të ketë një valë të katërt të virusit COVID-19, për shkak të një rigjallërimi të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta.

Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka paralajmëruar këshilltari kryesor shkencor i qeverisë franceze, profesor Jean-François Delfraissy.

Sidoqoftë, Delfraissy shtoi të mërkurën se përhapja e vaksinave kundër COVID-19 do të ndihmonte në zbutjen e efektit të kësaj vale të re të virusit, për të cilën shumë ekspertë mjekësorë mendojnë se mund të godasë Francën deri në shtator ose tetor.

“Unë mendoj se do të kemi një valë të katërt, por do të jetë shumë më e moderuar se tre valët e mëparshme sepse niveli i vaksinimeve është i ndryshëm krahasuar me më parë”, i ka thënë Delfraissy, radios France Info.

Ndërkohë, epidemiologu francez Arnaud Fontanet, i cili gjithashtu këshillon qeverinë franceze për çështje shkencore, i tha BFM TV të mërkurën se ai priste që numrat e infeksioneve me COVID-19 të Francës të rriten përsëri në shtator ose tetor.

Veç këtyre, ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, tha në fillim të kësaj jave se varianti Delta, përhapja e shpejtë e të cilit në botë ka bërë që disa vende të vendosin përsëri kufizimet e udhëtimit, tani përfaqëson rreth 20% të rasteve të COVID-19 në Francë. /Telegrafi/

Exit mobile version