Telegrafi

COVID-19 ende përbën një kërcënim vdekjeprurës, paralajmëron OBSH

Pothuajse 10,000 vdekje nga COVID-19 u raportuan në dhjetor, tha OBSH të mërkurën, më 10 janar, pasi paralajmëroi se virusi mbetet një kërcënim i madh pavarësisht se kaloi pjesërisht “i pa vënë re”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se të dhënat nga burime të ndryshme treguan për rritjen e transmetimit muajin e kaluar, nxitur nga tubimet gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve dhe nga varianti JN.1, i cili tani është më i zakonshmi i raportuar në mbarë globin, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Megjithëse COVID-19 nuk është më një emergjencë shëndetësore globale, virusi ende qarkullon, ndryshon dhe vret”, ka thënë shefi i agjencisë shëndetësore të OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Siç vënë në pah mediat, përveç gati 10,000 vdekjeve të raportuara në OBSH muajin e kaluar, pati një rritje prej 42% në shtrimet në spital dhe një rritje prej 62% në pranimet në njësinë e kujdesit intensiv, krahasuar me nëntorin.

Sidoqoftë, shifrat bazohen në të dhëna nga më pak se 50 vende – kryesisht në Evropë dhe Amerikë, tha Tedros.

“Është e sigurt që ka rritje edhe në vende të tjera që nuk raportohen. Ashtu si qeveritë dhe individët që marrin masa paraprake kundër sëmundjeve të tjera, të gjithë duhet të vazhdojmë të marrim masa paraprake kundër COVID-19…”.

Tedros u kërkoi qeverive të ruajnë mbikëqyrjen dhe të sigurojnë qasje në teste, trajtime dhe vaksina të përballueshme dhe të besueshme.

“Dhe ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje individëve që të vaksinohen, të testohen, të mbajnë maska ku duhet dhe të sigurohen që hapësirat e brendshme të mbushura me njerëz të jenë të ajrosura mirë”, tha ai.

Tedros deklaroi fundin e Covid-19 si një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik në maj 2023, më shumë se tre vjet nga momenti kur virusi u zbulua për herë të parë në Wuhan, Kinë, në fund të 2019. /Telegrafi/