Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se COVID-19, sëmundja që e shkakton coronavirusi, është emergjenca “më e rëndë” globale shëndetësore që ka shpallur ndonjëherë OBSH-ja.
Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, Tedros tha se tek OBSH-ja janë raportuar gati 16 milionë raste me coronavirus, së bashku me 640,000 viktima.
“Pandemia vazhdon të marrë hov. Në gjashtë javët e kaluara, numri i përgjithshëm i rasteve përafërsisht është dyfishuar”, tha Tedros.
Ai tha se do ta mbledhë këtë javë komitetin e urgjencës së OBSH-së për të vlerësuar pandeminë.
“Një rrugë e gjatë e vështirë është përpara nesh”, tha Tedros, përkundër faktit se “bota ka bërë përpjekje të mëdha”.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mbylljes së kufijve dhe për kufizimet në udhëtime, drejtori për emergjenca i OBSH-së, Mike Ryan, tha se këto nuk janë masa të qëndrueshme për kohë të gjatë.
Në muajin mars, kur OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen COVID-19, shumica e vendeve të botës i kanë mbyllur kufijtë, në përpjekje për të frenuar përhapjen.
Lehtësimi i masave të tilla ka filluar të bëhet gradualisht qysh në muajin maj. /Rel/