Eksperti i rasteve me COVID-19, Massimo Galli ka thënë në një televizion italian të martën se reparti i tij ishte “pushtuar” nga rastet me variante të reja të coronavirusit.
Sipas medieve italiane, përcjell Telegrafi, Galli, një profesor i sëmundjeve infektive në universitetin e Milanos dhe një mjek në Spitalin Sacco të Milanos, tha se “të gjithë” dëshironin të rihapnin Italinë, por përhapja e varianteve të reja, përfshirë atë britanik, bëri që një bllokim i ri të jetë një skenar më i mundshëm.
“Ne të gjithë jemi dakord se do të dëshironim që të gjitha të rihapeshin, por unë shoh një repart të pushtuar nga variante të reja dhe ky është rasti në të gjithë Italinë, gjë që e bën të lehtë të parashikosh që së shpejti do të kemi probleme më serioze”, citohet të ketë thënë Galli.
“… Ne jemi përballur me variantet, dhe variantet janë më ngjitëse dhe për këtë arsye kanë më shumë kapacitet për t’u përhapur në situata që nuk janë plotësisht të sigurta”.
“Është e pakëndshme por është një fakt”.
Ndryshe, qeveria e re italiane, e udhëhequr nga Mario Draghi, po përballet me thirrje nga disa parti politike për të lehtësuar kufizimet mes rekomandimeve të ekspertëve që një tjetër bllokim i plotë prej të paktën dy javësh do të jetë i nevojshëm për të luftuar variantet. /Telegrafi/