Telegrafi

COVID-19, 18 raste pozitive në 24 orët e fundit në Shqipëri

Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në Shqipëri ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 219 qytetarë, ndërsa 18 raste janë konfirmuar pozitivë me COVIDd-19.

Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja, në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste.

“Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit”, tha ajo.

Më tej u tha se situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive.

“Deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat. Prandaj është vendi për një apel për të gjithë qytetarët: të respektojmë masat, të mos dalim nga shtëpia pa arsye të domosdoshme, të mos neglizhojmë shenjat e sëmundjes dhe duhet telefonuar 127 nëse keni shenja të COVID-19”, u tha më tej.