Programi i UNICEF-it në Kosovë ka njoftuar rreth planit COVAX për shpërndarjen e vaksinave antiCOVID-19, në të cilin plan figuron edhe Kosova, me mbi 100 mijë doza të vaksinave që pritet të jenë të mjaftueshme për 3 për qind të popullsisë.
UNICEF në Kosovë ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se këto vaksina do të prokurohen në vendin tonë përmes Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Po ashtu, thuhet se këto doza do të jenë të mjaftueshme për të mbrojtur personat më në nevojë në vendin tonë.
“#COVAX ka bërë publik planin fillestar mbi shpërndarjen e hershme të vaksinës #COVID19. 100,800 doza të vaksinës do të prokurohen për Kosovën përmes Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për 3% të popullsisë, doza të mjaftueshme për të mbrojtur personat më në nevojë”, thuhet në postimin e UNICEF-it.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Ambasada britanike në Kosovë.
“Britanikët janë krenarë që janë kontribuuesi më i madh dypalësh në nismën e COVAX. Kënaqësi të shohësh vaksinat e para antiCOVID-19 që do të arrijnë së shpejti në Kosovë”, thuhet në postimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
Lista e plotë e shpërndarjes së vaksinës: https://www.gavi.org/sites/default/files/covid/covax/COVAX-Interim-Distribution-Forecast.pdf?fbclid=IwAR18aGlTmzOzlKEPPM750jIbFkU5mVJsuIMdXWFY-Ct10EQ9iuunOfUEDPQ /Telegrafi/