Telegrafi

Countryman: Politika është personalizuar

“Pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë teknike. Hetimet do të drejtohen nga pala shqiptare, me ndihmën teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes, të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standardet evropiane. Kjo do t’u jepte të dy palëve mundësinë të thoshin se shqetësimet e tyre për dhunën po zgjidhen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, tha Countryman.

Zyrtari amerikan nënvizoi se është jetike që një institucion i pavarur si Prokuroria të jetë në gjendje të bëjë punën, të jetë në gjendje të bëjë një hetim të besueshëm të asaj të ndodhi të premten. “Ne mirëpritëm vendimin e Kryeministrit për të anuluar manifestimin që partia Demokratike kishte planifikuar për të shtunën. Pas bisedave që pati me ambasadorin Arvizu dhe ndihmës sekretarin e shtetit Phil Gordon, ai arriti një vendim, që unë besoj është në përputhje ne nevojën e sotme për të qetësuar situatën dhe shmangur një rritje të temperaturave”, theksoi ai.

Countryman tha gjithashtu se kryetari i Partisë Socialiste, ka bërë të ditur se ai synon të zhvillojë një demonstratë paqësore të premten. “Unë kam respekt të plotë për zotin Rama, por duhet të them se sinqerisht, ky është një gabim. Gjendja sot në Shqipëri është tejet e mbingarkuar. Edhe me synimet më të mira, edhe me synimin e mirë javën e kaluar për të zhvilluar një protestë paqësore, pati dhunë. Është e vështirë për çdo politikan të premtojë se do të ketë protestë paqësore, kur ajo planifikohet në një atmosferë kaq të nxehtë. E di se demonstrata bëhet në kujtim të tre viktimave, por unë jam i shqetësuar, se në se demonstrata zhvillohet, në se kalohet në dhunë, në vend që të nderoheshin viktimat, do të krijohej efekti i kundërt”, shtoi ai.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën theksoi se ndan me shumicën e shqiptarëve zhgënjimin që politika është personalizuar dhe është bërë e pamoralshme. “Ajo nuk është më rreth ideve, rreth konkurrencës midis dy forcave, që e thonë qartë se çfarë qëndrimesh mbrojnë, por që sulmojnë e kundërsulmojnë, gjë që nuk pasqyron atë shtet evropian siç dëshiron të jetë Shqipëria”, tha ai.

“Nga ana tjetër, kam parë armiq me një të kaluar më të tmerrshme se sa këto dy parti, që janë ulur në tryezë dhe kanë arritur kompromis për të mirën e popullit të tyre. Kjo është ajo që duam të shikojmë në Shqipëri tani. Por më e rëndësishme se ç’duam ne amerikanët, ose evropianët për Shqipërinë, më e rëndësishme është ajo që do populli shqiptar. Dhe unë jam i bindur se populli nuk dëshiron më dhunë, nuk do të shikojë më fyerje, ai do të shohë udhëheqës që kanë forcën e duhur për të biseduar e arritur kompromise”, theksoi Countryman.

Zyrtari i lartë amerikan i tha jo pyetjes nëse zgjedhjet e parakohshme janë alternativë për zgjidhjen e problemeve. Ai tha gjithashtu se udhëheqësit politikë duhet të heqin dorë dhe të mos i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik. “Kjo është një çështje ligjore, kjo ka të bëjë me atë se çfarë shteti dëshiron të jetë Shqipëria. Ky nuk është një mjet që një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë hetimet të vazhdojnë”, u shpreh ai.

Countryman tha se tani nuk duhet të ketë më demonstrata, duhet të ketë më pak retorikë dhe të lejohet prokuroria të bëjë punën për të gjetur faktet. Ai tha gjithashtu se ekziston nevoja që të dy palët të tregojnë angazhim për një fushatë të pastër, të ndershme e transparente për zgjedhjet lokale të majit.

“Në një vështrim afatgjatë, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është të bindin shqiptarët, që të mos shikojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për zgjidhjen e problemeve të tyre. Këto janë çështje që një shtet evropian, demokratik, një anëtar i NATO-s, duhet të jetë në gjendje t’i zgjidhë përmes sistemit të vet politik”, tha zyrtari amerikan.

Countryman nënvizoi se është jetike që populli i Shqipërisë t’i kërkojë udhëheqjes së vendit zgjidhje paqësore, kompromisi. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me gjithë partitë, me gjithë shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare dhe me OSBE-në, për të ndihmuar që zgjedhjet e majit për pushtetin vendor të jenë të pastra, transparente dhe që ato t’u përkasin qytetarëve të Shqipërisë. /Telegrafi/