Telegrafi

CorrWatch: Pati jotransparencë gjatë rekrutimit të drejtorit të ATK-së dhe sekretarit në Ministrinë e Financave

Inicitativa CorrWatch shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore (ATK) dhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

CorrWatch ka bërë kërkesën për monitorimin e këtyre dy pozitave për të gjitha fazat e procesit, dhe kërkesat e njëjta janë konfirmuar nga MFPT.

Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit nga MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për monitorimin e këtyre dy pozitave.

Në rastin e ATK-së, CorrWatch, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në në dosjet e kandidatëve.

Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për t’a monitoruar procesin.

“Një praktikë e tillë rrezikon që këto procese të mbyllura të jenë subjekt i ndikimeve politike dhe personale, duke minuar kështu besimin e qytetarëvë në institucionet publike. Kufizimi i qasjes dhe monitorimit të shoqërisë civile cënon thellësisht transparencën dhe llogaridhënien e këtyre proceseve të rëndësishme. Përfshirja e shoqërise civile mbetet jetike duke i kontribuar kështu parimeve kryesore te rekrutimit në institucionet publike”, thuhet në reagim.

Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes  Ambasadës Brtianike në Prishtinë.

CorrWatch thotë se përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar./Telegrafi/