Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shtojnë kujdesin, por jo panikun.
Ky apel i liderit të opozitës vjen menjëherë pas konfirmimit të dy rasteve që u konfirmuan në Kosovë me coronavirus.
Veseli tha nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook se Kosova ka mjekë dhe personel shëndetësorë shumë të mirë dhe qytetarët duhet tu besojnë atyre.
“Konfirmimi i dy rasteve me coronavirus në vendin tonë duhet të na shtojë kujdesin, por jo panikun. Kosova ka mjekë të mrekullueshëm dhe ne u besojmë atyre.
Lus të gjithë qytetarët që të përcjellin dhe respektojnë udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë se si ta mbrojmë veten dhe njëri-tjetrin”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, përmes një konference për media kanë njoftuar se dy persona janë të infektuar me coronavirus në Kosovë.
Njëri nga të konfirmuarit pozitiv në Covid-19 është shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë, është kosovar i moshës 77 vjeçare. /Telegrafi/