Edhe pse ende nuk është shënuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus në Kosovë, në dy ditët e fundit qytetarët janë në panik për furnizim me mallra bazike nëpër supermarkete dhe farmaci.
Evidente është se ka ngritje të çmimeve për disa produkte ushqimore dhe për disa barna. Megjithatë, ka edhe mungesë të disa produkte ushqimore dhe farmaceutike.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku për KP ka pranuar se ka ngritje të çmimeve dhe mungesë të mallrave.
Kaçaniku tha se jo në të gjitha marketet ka ngritje të çmimeve, sipas të cilit, vendimi i qeverisë për mos ngritje të çmimeve është i duhur, dhe shpreson se Qeveria do të reagojë konform vendimit që të gjobiten ato biznese.
“Ngritje ka, nevoja ose mungesa artificiale ka, mendoj se nuk janë ende rrethanat për furnizime kaq të mëdha, por ja që edhe ata me pa dëshirë për t’u furnizuar detyrohen të furnizohen prej frikës s’e mos po zbrazen marketet”, tha Kaçaniku.
Ai kërkoi nga qytetarët të lajmërojnë për ngritje të çmimeve dhe t’i bojkotojnë të gjithë prodhuesit dhe tregtarët ku ka ngritje të çmimeve.
Ndërsa, konsumatori Ismet Kojçiqi thotë se në një supermarket në Prishtinë ka hasur në mungesë të miellit dhe ngritje të çmimeve për disa produkte ushqimore.
“Pak po, janë diktuar pak. Por, unë kisha bërë një apel te populli, që mos të ngarendin. Duke e parë rrethin tonë, popullin tonë shqiptar të mjerë, se mos me qenë të mjerë nuk e bëjmë këtë. Ishte dashur me një ngadalësim të bëhet furnizimi. A pati miell? Nuk kishte për momentin këtu, unë isha i fundit që bleva miell. Pak po, janë vërejtur, por jo shumë. Kontaktova un ë me një punëtor këtu, tha se ‘kanë filluar t’i ngritin (çmimet), por prapë i zbritën’. Me gjasë ka intervenuar dikush. Vetëm miell (nuk pat). Nuk është fajtor marketi, por vetë ne që grumbullojmë rezerva pa nevojë”, thotë Kojçiq.
Edhe Ali Kërçeli konsumator, kishte shkuar në market për t’u furnizuar me miell, për shkak të panikut, siç tha ai, të shkaktuar në botë dhe vend për koronavirus.
“Sot kam dal për t’u furnizuar me gjëra ushqimore dhe miell. Kishte mjaftueshëm miell. Jo, nuk ka ngritje të çmimeve. Për miell pati mungesë, tash erdhi. Po furnizohemi, për shkak të koronavirusit, është bërë panik në krejt botën, edhe te ne”, tha Kërçeli.
Menaxheri në supermarketin “Viva fresh”, Naim Humolli tha prapa kamerave se ka mallra të mjaftueshëm dhe nuk ka ngritje të çmimeve.
“Jemi të furnizuar me mallra dhe s’ka nevojë për panik, ka mallra të mjaftueshme. Posedojmë miell, vaj, sheqer dhe të gjithë artikujt e tjerë higjenik. Vazhdimisht po furnizohemi me mallra”, tha Humolli.
Sot, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka paralajmëruar mbylljen e bizneseve dhe burg për ato biznese që shtrenjtojnë pa arsye çmimet e artikujve ushqimorë.