Lojtarët mund të ndëshkohen nëse lojtarët pështyjnë në fushë kur të rikthehet futbolli, pasi Komiteti Mjekësor i FIFA-s ka paralajmëruar se kështu mund të përhapet coronavirusi.
Derisa futbolli është i suspenduar në ligat më të mëdha evropiane shkaku i pandemisë botërore, ka plane që shumë shpejtë sporti më i shikuar në botë të rikthehet brenda javësh.
Shpesh herë kemi parë lojtarë duke pështy në fushë, duke pirë ujë dhe më pas kanë nxjerr nga goja e tyre, e madje kanë pështy edhe kundërshtarët e tyre.
Por, Michel D’Hooghe, që është anëtar i komitetit mjekësor në FIFA ka bërë të ditur se një gjë e tillë do të ndalohet.
“Është një dukuri e shpeshtë që e hasim në futboll dhe kjo nuk është aspak higjienike nga ana e lojtarëve”, ka thënë ai për Daily Telegraph.
“Kështu, kur të rikthehet futbolli, do të mundohemi t’i përjashtojmë të gjitha mundësitë që çojnë në përhapjen e coronavirusit”.
“Mënyra më e mirë për të parandaluar këtë dukuri të keqe? Ndoshta ndëshkimi me kartonë të verdhë. Është diçka e papastër”, ka shtuar më tej D’Hoodghe.
Tashmë është bërë e ditur se personat mund të kenë coronavirusin edhe pa pasur simptomat, e që është rreziku më i madh që po përballet mjekësia botërore. /Telegrafi/