Telegrafi

Coronavirusi nuk është brenga e vetme për qytetarët e New Orleans, minjtë “pushtojnë” rrugët – rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Rrugët e New Orleans në SHBA janë “vërshuar” nga minjtë, pasi që këto rrugë kanë mbetur të zbrazëta pas masave të vëna nga autoritetet që ua ndalon daljen qytetarëve nga frika se mund ta përhapin edhe më shumë coronavirusin.

E pasi që në qytet janë mbyllur marketet dhe lokalet tjera afariste dhe pothuajse askush nuk po lëviz, minjtë kanë filluar të dalin nga “foletë” e tyre dhe kështu kanë “pushtuar” rrugët, transmeton Telegrafi.

Megjithatë ekipet për shfarosjen e brejtësve kanë filluar të spërkatin hapësirat me helme dhe po vënë kurthe, me qëllim që dëmet materiale nëpër lokale të jenë sa më të vogla, duke ditur se minjtë mund të shkaktojnë shumë probleme si në rroba, ushqim dhe pajisje tjera elektronike të cilave ua këpusin kabllot.

“Ekziston një rrezik tjetër shëndetësor. Për fat të mirë askush nuk është sëmurë prej tyre deri më tani. Nuk kemi edhe aq shumë sëmundje në vendin tonë që kanë ndonjë lidhje me brejtësit. Por gjithmonë ekziston rreziku potencial”, ka deklaruar kryetarja e New Orleans, La Toya Kantrel gjatë një konference për media. /Telegrafi/