Site icon Telegrafi

Coronavirusi, në Suharekë janë kthyer 117 mërgimtarë, ndërsa në Rahovec 70 sosh

Ardhja e coronavirusit edhe në Kosovë ka mobilizuar edhe komunat e Kosovës.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj thotë për RTV Dukagjinin, se kanë marrë shumë masa për shkak të numrit të madh të qytetarëve që kjo komunë ka në diasporë.

“Deri tash zyrtarisht janë kthyer rreth 117 persona që janë kthyer nga Perëndimi. Për fat të mirë shumica e tyre janë lajmëruar vet. Sot sapo arritën dy persona nga Belgjika, të cilët i kemi dërguar në qendrën e Mjekësisë Familjare ku është një ekip i veçantë që merret me kontrollimin e tyre”.

Muharremaj thotë se komuna ka ndarë 20 mijë euro nga fondi emergjentë, përcjell Telegrafi.

I pari i Suharekës thotë se tashmë është dezinfektuar qyteti dhe fshatrat.

Edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi thotë se kjo komunë ka marrë masat për t’u përballur me coronavirusin.

Ai thotë se tashmë janë dezinfektuar qyteti dhe fshatrat dhe është krijuar edhe karantina.

Latifi bënë thirrje te qytetarët që të evitojnë mbledhjen në grupe.

Ai thotë se shqetësuese është edhe ndezja e zjarreve duke shkaktuar edhe dëme të mëdha në afërsi të pyjeve.

”Qytetarët po shkojnë me zgara në ato vende dhe më pas situata po u kalon nga kontrolli”.

I pari i Rahovecit thotë se nuk ka asgjë të keqe që bujqit në mënyrë individuale të punojnë me traktorë tokat e tyre, por të mos mblidhen në kafene për të luajtur shah në grupe.

Latifi thotë se gjatë javës së fundit rreth 70 mërgimtarë janë kthyer në Komunën e Rahovecit.

“Jemi kujdesur që të evidencohen ata që janë kthyer dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve shëndetësore për t’u futur në karantinë”, deklaroi më tej Smajl Latifi/Telegrafi/

Exit mobile version