Nënpresidenti amerikan, Mike Pence do të qëndrojë në distancë nga presidenti Trump si masë sigurie, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.
“Nënpresidenti ka bërë zgjedhjen që të distancohet për disa ditë”, pasi sekretarja e tij për shtypin, Katie Miller u diagnostikua me coronavirus të premten, pohoi të martën për gazetarët Kayleigh McEnany, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Nënpresidenti Pence mungonte të hënën në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, ku mori pjesë si zakonisht presidenti Trump.
Presidenti e shfrytëzoi konferencën e së hënës për të promovuar përpjekjet e administratës për testimin e popullatës për coronavirus.
Gjatë konferencës së të martës, zëdhënësja McEnany pohoi për gazetarët se brenda kësaj jave numri i amerikanëve që kanë bërë testin e coronavirusit do të arrijë në 10 milionë vetë.
Ajo shtoi se SHBA kanë arritur ritme më të mira se Koreja e Jugut për testimet.
Nga numri i viktimave, 29 shtete amerikane kanë konfirmuar numra më të lartë se Koreja e Jugut.
Koreja e Jugut ka 52 milionë banorë dhe ka regjistruar më pak se 300 vdekje.
Shtetet e Bashkuara me 328 milionë banorë kanë mbi 81 mijë viktima – numri më i lartë të vdekurve nga çdo vend tjetër në botë. /voa/