Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 1853 raste të COVID-19, derisa tre persona kanë humbur jetën si pasojë e infeksioneve që ka shkaktuar coronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë duke u trajtuar 92 pacientë të infektuar me COVID-19, disa prej të cilëve janë të pa vaksinuar.
Sipas MSH-së me rritjen e këtyre numrave do të ketë mbingarkesë të spitaleve dhe më shumë të vdekur.
“Në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit numri i pacientëve që janë duke u trajtuar për COVID-19 është 92, në mesin e të cilëve edhe të pa vaksinuar. Ky numër mund të rritet dhe të shkaktojë ngarkesë shtesë për spitalet, profesionistët tonë shëndetësor dhe për më tepër edhe humbje të jetëve të njerëzve tonë”.
Me qëllim të mbrojtjes dhe shmangies së sëmundjes, MSh ju bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Me qëllim të mbrojtjes, shmangies së formave të rënda të sëmundjes dhe parandalimit të vdekjeve ju lusim që të vaksinoheni, me dozën që ju e keni në radhë, sipas ecurisë së vaksinimit tuaj. Vaksina mbetet sot arma kryesore, jo vetëm në Kosovë, e mbrojtjes kundër COVID-19, prandaj, ju lusim që t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për vaksinim, për vete, për prindërit dhe fëmijët tuaj dhe për një shoqëri të shëndetshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./Telegrafi/