Rastet e konfirmuara të coronavirusit në Brazil kanë kaluar numrin pesë milionë, me vdekjet në vend që po i afrohen shifrës 150,000, thonë zyrtarët.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ministria e shëndetësisë e Brazilit raportoi 31,553 raste të reja të martën, duke sjellë infeksionet totale në 5,000,694.
Me këtë, ky vend radhitet si i treti më i goditur nga infeksionet në botë, pas SHBA-së dhe Indisë.
Përkundër kësaj, presidenti Jair Bolsonaro është akuzuar për minimizimin e rreziqeve të virusit gjatë gjithë pandemisë, duke injoruar këshillat e ekspertëve për masat kufizuese.
Bolsonaro ka hedhur poshtë kritikat për trajtimin e tij të pandemisë, por vendimi i tij për të kundërshtuar bllokimet dhe përqendrimin në ekonomi ka qenë jashtëzakonisht përçarës.
Ndërkohë, të martën, Brazili regjistroi 734 viktima të reja, duke e çuar numrin e të vdekurve në 148,228, tha ministria duke qenë vendi me numrin më të lartë të vdekjeve në Amerikën Latine.
Shteti i São Paulo ka qenë i goditur më së rëndi, me rreth 36,000 vdekje, i ndjekur nga Rio de Janeiro, me rreth 19,000. /Telegrafi/