Kina do të duhet të ulë taksat, të rrisë shpenzimet dhe të zvogëlojë normat e interesit për të parandaluar shkatërrimin ekonomik, si pasojë e përhapjes së coronavirusit.
Siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, ndikimi ekonomik i virusit është akoma i pamundur të përcaktohet, por një media shtetërore dhe disa ekonomistë kanë thënë që shkalla e rritjes së Kinës mund të bjerë këtë tremujor për shkak të shpërthimit të virusit, i cili ka sjellë pjesë të mëdha të vendit në bllokim.
Një rënie e tillë, siç shkruan tutje CNN, mund të nënkuptojë 62 miliardë dollarë humbje për ekonominë e Kinës.
Dhe Kina do ta përjetonte rëndë një goditje të tillë.
Kjo pasi që, rritja vitin e kaluar ishte tashmë më e dobëta e vendit në gati tre dekada, pasi Kina luftoi me rritjen e borxhit dhe pasojat nga lufta e saj tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Coronavirusi, i cili u shfaq për herë të parë në qytetin qendror të Wuhan, ka vrarë tashmë më shumë se 200 njerëz dhe ka infektuar shumë të tjerë.
Një sëmundje e kësaj madhësie nuk ishte as në “radarin” e Kinës.
Para shpërthimit, qeveria ishte më e shqetësuar se trazirat sociale mund të ishin problemi – një ngjarje e pamundur por kaotike që zyrtarët kishin frikë se mund të nxitej nga rritja e papunësisë.
Tani Pekini po përpiqet të ndalojë virusin të “fundosë” ekonominë e tij. Në këtë drejtim, Partia Komuniste në pushtet kohët e fundit e vuri kryeministrin Li Keqiang në krye të kontrollit të virusit.
Vendimi ishte një sinjal i qartë se ndalimi i virusit është “përparësia midis përparësive” për qeverinë tani.
Gjithashtu, deri më tani, politikë-bërësit kanë ndërmarrë disa hapa për të ndihmuar bizneset që preken më shumë nga përhapja e shpejtë e sëmundjes.
Veç kësaj, qeveritë qendrore dhe lokale kanë ndarë 12.6 miliardë dollarë deri më tani për të shpenzuar për trajtimin mjekësor dhe pajisjet.
Bankat e mëdha kanë ulur normat e interesit për bizneset e vogla dhe individët në zonat më të goditura.
Dhe Banka e Kinës tha se do t’i lejojë njerëzit në Wuhan dhe pjesën tjetër të provincës Hubei të vonojnë pagesat e kredisë për disa muaj, nëse ata humbasin burimin e të ardhurave për shkak të virusit.
Edhe Banka Popullore e Kinës, banka qendrore e vendit, ka thënë se do të sigurojë që ka likuiditet të mjaftueshëm në tregjet financiare kur ato të rihapen të hënën tjetër pas një feste 10-ditore të Vitit të Ri Lunar.
Është shumë herët për të thënë nëse ai nivel i “shkatërrimit” është në horizont.
Tesla (TSLA) është detyruar të mbyllë përkohësisht fabrikën e saj të re të ndërtuar në Shanghai. Dhe Apple (AAPL) ka humbur prodhimin nga furnizuesit në Wuhan. Ndikimi afatgjatë në të dy kompanitë është shumë më pak i qartë.
Por, sektorët e tjerë mund të kenë më shumë për të humbur tani.
Turizmi, për shembull – një industri shumë-miliardë dollarëshe gjatë Vitit të Ri Lunar – është shkatërruar pasi qeveria “ka vendosur në karantinë” qendrat kryesore të popullsisë dhe njerëzit shmangin udhëtimet nga frika se mos infektohen.
Përhapja e coronavirusit kërcënon gjithashtu të shkaktojë humbje të vendeve të punës dhe të shtyjë rritjen e çmimeve, duke shtuar problemet ekonomike që ekzistojnë tashmë.
Tregu i punësimit tashmë është nën stres këtë vit. Industritë që tradicionalisht krijojnë shumë punë, si sektori i teknologjisë, janë dëmtuar nga ngadalësimi ekonomik. Përhapja e coronavirusit do t’i përkeqësojë gjërat, sipas Zhang Ming, ekonomist kinez.
Kompanitë e mëdha të udhëtimit, hotelet dhe linjat ajrore kanë ofruar rimbursim gjatë pjesës më të madhe të muajit shkurt, ndërsa disa linja ajrore kanë pezulluar shërbimet për në dhe nga Kina. /Telegrafi/