Ekonomia e Kosovës nuk mund të mbetet imune ndaj ndikimit që ka Coronavirusi i ri në rrjedhat e ekonomisë dhe tregut evropian e botëror, thonë përfaqësues të komunitetit të bizneseve dhe njohës të çështjeve ekonomike.
Coronavirusi i ri, i emëruar COVID-19, për herë të parë është raportuar të jetë paraqitur në Kinë, në dhjetor të vitit 2019. Kurse Italia është kthyer në shtetin evropian të prekur më së shumti nga virusi.
Italia është një ndër partnerët kryesorë tregtarë me Kosovën. Mbi 200 milionë euro llogariten shkëmbimet e mallrave.
Në një situatë të tillë, ekspertët thonë se është e logjikshme që tani bizneset të jenë në kërkim edhe të tregjeve tjera, duke i zëvendësuar tregjet e vendeve të prekura nga ky virus.
Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka vend për panik për konsumatorët në lidhje më produktet që vijnë nga Italia apo vendet tjera të prekura. Në rastin e Kosovës, ai thotë se vetëm mund të ndryshohet orientimi i importit të mallrave nga këto shtete.
“Deri tash kemi një tendencë për riorientim të importeve. Pra, një hezitim të importohet nga Kina dhe të shikohen tregjet tjera të importeve për produkte të caktuara që janë importuar deri më tani prej vendeve të prekura nga koronavirusi. Kështu që nuk ka diçka shqetësuese”, tha Rukiqi.
Në vitin 2019, Italia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 220 milionë euro, kurse ka eksportuar rreth 20 milionë euro dhe renditet në top- pesëshen e shteteve, nga të cilat Kosova importon më së shumti mallra.
Ndërkaq, në vitin 2018, në Kosovë janë importuar mallra nga Kina në vlerë prej rreth 312 milionë euro, kurse mallra nga Kosovë në Kinë janë eksportuar mbi 1.4 milion euro.
Ndërkaq, rreth 6,300 ka qenë numri i turistëve nga shteti i Italisë në Kosovë në vitin 2018.
Në Odën Ekonomike të Kosovës, thonë se ndikimi mund të jetë më shumë psikik dhe do të prek lëvizjet e njerëzve, por nuk do të duhej të prekte edhe shkëmbimet tregtare.
Ndërkohë, ekspertët për çështje ekonomike konsiderojnë se përhapja e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme shkakton shqetësime të përgjithshme shoqërore dhe lëkundje sociale të cilat reflektohen edhe në ecuritë ekonomike të shteteve.
Eksperti Naim Gashi, thotë se duke marrë parasysh që disa shtete në të cilat është shfaqur koronavirusi janë partnerë ekonomikë të Kosovës, qoftë në aspektin e investimeve apo në fushën e tregtisë, atëherë, sipas tij, mund ketë efekte negative edhe në ecurinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet këtyre shteteve.
“Përhapja e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme është një nga faktorët kryesorë që njerëzit frikësohen të konsumojnë mallra dhe shërbime. Në momentin që ulet konsumi i mallrave dhe shërbimeve, atëherë kemi rënie të Bruto Produktit Vendor, për faktin se njerëzit janë të frikësuar nga epidemitë dhe nuk shpenzojnë ose nuk investojnë nga frika e përhapjes së sëmundjeve dhe rreziqet potenciale të bizneseve të tyre”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova nuk mund të jetë imune ndaj lëkundjeve apo ndryshimeve në tregjet botërore, thotë Gashi, duke vlerësuar se zhvillime të tilla ndikojnë negativisht në ecuritë ekonomike globale.
“Dihet se ne kemi rreth 4 miliardë euro të mallrave të cilat vijnë në tregun e Kosovës dhe për rrjedhojë një pjesë e këtyre mallrave vijnë nga vendet e prekura nga koronavirusi”, thekson Gashi.
“Unë mendoj se institucionet kompetente shtetërore në Kosovë duhet të jenë shumë vigjilente që të këshillojnë popullatën se shqetësimet e mëdha dhe paniku në popullatë, përveç probleme të përgjithshme të funksionimit të shtetit, ndikojnë negativisht edhe në ecuritë ekonomike dhe për rrjedhojë edhe bizneset do të kenë më pak shitje, më pak fitime dhe më pak investime”, tha Gashi.
Kosova është shteti që është i varur nga importi i produkteve të huaja, qoftë nga rajoni apo nga vendet e Bashkimit Evropian, sepse industria e prodhimit vendor ende mbetet pak e zhvilluar.
Koronavirusi ka prekur rreth 86,000 mijë njerëz në botë. Në Kinë, shifrat e fundit flasin për mbi 2,800 raste me fatalitet, ndërkaq në pjesët e tjera të botës janë shënuar mbi 100 raste të vdekjeve nga ky virus. Në Kosovë, deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me këtë virus. /REL/