Site icon Telegrafi

Coronavirusi i merr jetën një personi në Filipine, rasti parë i vdekjes që u shënua jashtë Kinës

Në Filipine është shënuar vdekja e parë nga coronavirusi, që është rasti i parë i vdekjes jashtë Kinës, ku brenda 24 orëve kjo sëmundje iu ka marrë jetën 45 personave.

Deri në mëngjesin e ditës së sotme, 14,300 njerëz janë infektuar me këtë virus në mbarë Kinën, shumica prej të cilëve në Wuhan, transmeton Telegrafi.

Shumica nga 304 të vdekurit janë nga ai regjion, mirëpo nuk mungojnë rastet as në zona tjera, përshirë edhe kryeqytetin Pekin.

Departamenti i Shëndetësisë në Filipine, ka thënë se 44-vjeçari që humbi jetën, kishte ardhur nga Wuhan, ndërsa është pranuar në spital më 25 janar, me ethe dhe shenja tjera gripi.

Gjendja e tij dukej se po përmirësohej, mirëpo brenda një dite, nisi të tregonte shenja të lodhjes dhe mjekët e kishin të pamundur ta shpëtonin.

Shoqëruesja e viktimës, që arriti nga po i njëjti qytet, është po ashtu e sëmurë me të njëjtin virus, ndërsa po qëndron nën përkujdesje në Manila.

Si pjesë e përpjekjeve për ndalimin e përhapjes së coronavirusit, presidenti Duterte ka urdhëruar ndalimin e të gjitha udhëtimeve prej Kinës, pos filipinasve që duan të kthehen në shtetin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version