Telegrafi

Coresteel blen Llamkosin

Në atë kohë AKP-ja e kishte shpallur fitues të përkohshëm për privatizimin e ndërmarrjes kompaninë turke Mutafqi Dragon Group, por më pas kjo kompani është cilësuar si joserioze nga AKP-ja, pasi që nuk ka arritur të ofrojë plan për rimëkëmbjen e fabrikës.

Por, eliminimi nga lista ka nervozuar tej mase zyrtarë të kompanisë turke, ku sipas tyre, vendimi është në kundërshtim me të gjitha rregullat që i ka nxjerrë dhe aprovuar bordi i AKP-së, Shkruan Zëri.

Përmes një letre zyrtare të kompanisë turke thonë se në ditën e hapjes së ofertave janë shpallur fitues, ku kanë ofruar çmim prej 6.5 milionë euro, si dhe 900 mijë euro obligime ndaj Raiffeisen Bank. “Për habinë tonë nga ne është kërkuar plani i biznesit për pese vjet, plan ky të cilin e kemi ofruar, por ky plan iu është hapur edhe ofertueseve tjerë e që është në kundërshtim me rregullat e tenderit të hartuar nga AKP-ja”, thuhet në letrën që e disponon gazeta Zëri.

Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se si fitues i përkohshëm ka plotësuar të gjitha kërkesat si garancinë bankare prej 30 milionë dollarësh, ruajtjen e veprimtarisë së njëjtë, numrin e punëtoreve, mbi 72 referenca, qarkullimin vjetor prej 28 milionë eurosh, stafin e menaxhimit si dhe dokumente tjera të kërkuara.

Zyrtarë të kësaj kompanie kanë paralajmëruar se do të kërkojnë drejtësi në të gjitha instancat me të larta vendore dhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, zyrtarë të AKP-së thonë se kompania turke nuk ka ofruar plan bindës për pesë vjetët e ardhshme. Sipas tyre, oferta e kompanisë angleze ka qenë më e kompletuar dhe bordi ka vendosur që këtë ta shpallë fitues të tenderit.

Drejtori i AKP-së Shkelzen Lluka, thotë se padyshim se kompania ka drejtën e ankesës si në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, por edhe në instanca tjera. Ai tha se bordi i AKP-së i ka analizuar mirë ofertat e kompanisë, sepse nuk ka lejuar që tenderi të dështojë sërish. /Telegrafi/