Nga: Albana Beqiri
Para se të nisej për blerjet e dhuratave të Krishtlindjes, Alma K. i tha vetes se këtë vit, së paku këtë vit do hiqte dorë nga zakoni i përhershëm i blerjes së çorapeve. Ishte kthyer në çmenduri ky zakon që ajo këmbëngulte (vetëm me mend) se duhej ta hiqte me patjetër; prej vitesh i thoshte vetes të njëjtën gjë dhe përfundonte në shtëpi me një dyzinë çorapesh që, kur i hapte çantat e blerjeve, dukej se u qeshnin me qesëndi gjithë dhuratave të tjera. Atëherë, Almës i bëhej sikur dëgjonte zërin e tyre të çjerrë tek u mburreshin jo dhe aq pa të drejtë dhuratave të tjera, duke ju thënë: “Ju thjesht ngjasoni me blerje sipas modës sezonale, ndërsa ne, oh ne jemi zgjedhja e përhershme e zonjës Alma. Nuk e dimë pse, nuk e dimë pse e kemi merituar këtë fiksim të sajin për ne, por dimë se kështu është që prej vitesh. Ajo nuk lodhet kurrë duke na blerë”!
– Thuamë pse dreqin e ke këtë fiksim për të blerë çorape, pafundësisht çorape? – kjo ishte pyetja që i bëri edhe Mario, i shoqi që sapo mbërriti në shtëpi me plot çanta dhuratash mes të cilave si çdo vit tjetër qëndronin hijerënda edhe një dyzinë çorapesh nga të gjitha ngjyrat dhe modelet që kishte gjetur në qendrën e madhe tregtare ku prej vitesh bënte blerjet.
Për një çast mbeti, u gjet shumë ngushtë, Alma K.; nuk ishte e përgatitur për përgjigjen që do t’i kthente të shoqit sepse asnjëherë nuk kishte menduar se do i duhej t’i kthente një përgjigje. Ai prej vitesh e kishte parë duke blerë çorape; ngado nëpër sirtarët e shtëpisë gjente dyzina çorapesh të paketuara e të pahapura kurrë, por asnjëherë nuk e kishte pyetur pse ishte e fiksuar asisoj pas çorapeve. Gjithmonë kishte bërë sikur nuk e kishte vënë re këtë mani të së shoqes krejt të pakuptueshme për të, prandaj Alma e kuptoi se duhej ta kishte tepruar shumë me ato dreq çorapesh, përderisa ai doli nga zona e tij e rehatisë dhe nuk e mbajti më dot për vete kuriozitetin që po e brente mbase prej vitesh.
Çfarë t’i thoshte?
Njëherë mendoi të sajonte ndonjë lloj përgjigjeje jo alla shqiptarçe, por nga ato perëndimoret me ndonjë lloj kompleksi që ajo s’dinte t’i jepte shpjegim e që Mario, si italian që ishte, do ta kuptonte më mirë e mbase do ta këshillonte të shkonte te ndonjë psikanalist. Mbase vërtet i duhej të shkonte te psikanalisti, ndryshe si mund t’i vinte fre manisë së saj të pakontrolluar për të blerë vetëm çorape? Edhe kur shkonte të blinte bukë, ia dilte të drejtonte veten pak metra më andej ku gjente një nga ato dyqanet që shiste gjithçka, që nga gjilpërat e qepjes e deri tek çarçafët e ku çorapet dukeshin si malli më i zakonshëm e më normali mes gjithë atyre asortimenteve të tjera shumica pa pikë lidhje me njëri-tjetrin. Larg botës që çuditërisht ekzistonte edhe pa hallin e saj me çorapet, Alma ishte harruar në mendimet e veta. Ishte zëri i të shoqit që ia kujtoi këtë.
– Mirë, e dashur, të kuptoj që mbase nuk ke përgjigje, por do të lutesha mos të blije më çorape, së paku mua jo. Kam aq shumë sa do më mjaftonin edhe për dy jetë të tjera njeriu dhe po ashtu besoj se do ishte mirë të shkoje te një psikanalist – sigurisht që ishte lodhur nga pritja e përgjigjes së saj, prandaj për të mos e zgjatur më tej as për të shkuar drejt ndonjë grindjeje të mundshme i kishte dhënë dum me këto dy kërkesa – sugjerime.
Edhe pse këtë punën e vajtjes te një psikanalist e kishte pritur, Almës befas iu qesh, nuk bëri asnjë përpjekje që ta mbante të qeshurën dhe ia krisi me të madhe. Qeshi aq shumë e aq gjatë, qeshi pothuaj në mënyrë të pakontrolluar e të pavetëdijshme sa, po të mos ishte portreti i habitur i Marios përballë saj, mbase do kishte vazhduar të qeshte edhe më pa e kuptuar se çfarë ishte duke bërë. Për të mos e fyer, tani i duhej që t’i shpjegonte Marios së mbetur pa fjalë nga habia se e qeshura e saj nuk kishte lidhje me të e as me kërkesat e tij; ajo kishte qeshur vetëm pse kishte kujtuar të ëmën, atë grua trupvogël, por të shkathët e punëtore si një milingonë, e cila po të kishte qenë aty duke i dëgjuar do i kishte thënë: “Qyqja moj çupe, po ç’psikanalist zeza thua? Ne as që e kemi ditur se çfarë është psikologu a psikanalisti dhe ja ku jemi: njerëz normalë me hallet e dhembjet tona, por normalë. Me një barrë hallesh në kurriz, me varfëri të madhe, por me shumë dashuri ia kemi dalë t’ju rrisim duke bërë më të mirën për ju. E ç’ndodh tani? Juve që nuk ju mungon asgjë ju ka marrë dreqi me këta psikanalistë e këto ankesat tuaja absurde për depresione a çfarë dreqi ju thoni”.
Mario vazhdonte ta shihte plot habi dhe Alma u ndërgjegjësua se për të shoqin, italianin që vërtet ishte dashuruar me një shqiptare, por që nuk e njihte fare mentalitetin shqiptar, gjithë çfarë kishte ndodhur apo ndodhte në vendin e vogël anës tjetër të Adriatikut, ishte veçse një ekzotikë interesante. Mbase kishte ardhur koha për të bërë një bisedë të vërtetë e cila sadopak do mund ta iluminonte italianin e habitur.
– I dashur, ime më po të ishte këtu do kishte qeshur me ne të dy që flasim për psikanalistë a komplekse të fshehura që duhet të na i zbulojë psikanalisti. Ajo ka jetuar në një vend ku nuk kishte as psikologë, as sindikalistë, as avokatë madje. P.sh., po të kishe jetuar në Shqipëri në vitet e komunizmit, ti nuk do ishe avokat, sepse pushtetarët komunistë mendonin se njerëzit nuk kishin nevojë për avokat, sepse ata i mbronte partia … Absurditet apo jo? Mbase mendja jote nuk mund ta kapë psikologjinë e njerëzve të rritur në diktatura, por ja që kështu ishte. Ne nuk kishim asgjë, liri më së paku. Prindërit e mi të cilët ti i njeh si dy njerëz të nderuar, të tillë janë vërtetë, sepse jeta e tyre është bazuar mbi ndershmërinë. Mbi ato parime na rritën dhe edukuan ne fëmijët, paçka se mungesat dhe varfëria ishin binomi i jetës sonë. E, kur flas për varfërinë, ajo ishte e gjithanshme, jo vetëm materiale. Besomë, mungonte gjithçka, madje edhe çorapet. Po, po, çorapet. Mos më shih me ata sy të shqyer nga habia. Unë jam rritur mes mungesash të mëdha, por nuk di pse mungesa e çorapeve është ngulitur thellë në memorien time, më shumë edhe se ajo e qumështit apo mishit. Është një mungesë që është rrënjosur keq në nënvetëdijen time dhe kthehet e më ngacmon sa herë shoh çorape nëpër dyqane. Sigurisht që ti po vret mendjen të kuptosh se si një fëmije apo shumë fëmijëve mund t’ju mungojnë çorapet, epo ja dreqin që mua dhe shumë fëmijëve të tjerë u mungonin ato. Ne ishim fëmijë të rritur në diktaturë, mes mungesave dhe varfërisë, e ato mungesa sigurisht që kanë lënë pasoja te ne. Unë, shyqyr Zotit, e manifestoj me blerje çorapesh, mbase ngaqë dua ta siguroj veten se tani që jam rritur, nuk do më mungojnë më. E sheh që vërtet ky është një kompleks i fituar nga fëmijëria? Besomë se nuk kam nevojë për psikanalist për ta shëruar atë. Ca çorape të papërdorura mbetur sirtarëve nuk besoj se janë arsye për të harxhuar më shumë para te psikanalisti për të më hequr zakonin e blerjes së tyre
Ajo mbase dhe do të vazhdonte më tej me këtë rrëfim të pazakontë për të shoqin, nëse nuk do vërente buzëqeshjen dashamirëse në fytyrën e tij.
– Vërtet ca çorape më shumë nuk janë asgjë për t’u bërë temë bisede – tha Mario, i cili i prekur mbase nga ato që dëgjoi, vijoi pothuaj i përlotur:
– Më vjen keq që të bëra të përjetosh edhe një herë atë kohë dhe më keq koma për faktin që i ke përjetuar vërtet.
– Ti nuk e di çka është ai përjetim, edhe po të duash nuk do e arrish dot – deshi t’i përgjigjej bashkëshortit që kishte gjetur një mënyrë elegante për t’i treguar dhemshurinë dhe empatinë e tij, për një përjetim që nuk arrinte as ta perceptonte.
Për një çast, deshi t’i rrëfente për një të diele të ftoftë dimri kur stufa e mbushur me drunj të lagur, që mezi ku merrnin flakë e që më shumë se nxehtësi prodhonin tym të errët, nuk arrinte ta ngrohte sallonin e vogël të apartamentit të vogël. As ta nxehte atë apartament të ftohtë të cilit as në verë nuk i binte dielli kurrë e as të thante teshat e lara atë ditë e me të cilat do duhej të visheshin të nesërmen për në shkollë të katër fëmijët e familjes. Mes tyre dhe çorapet. Alma e ndjente edhe më shumë të ftohtin që i hynte nga këmbët e zbathura dhe nuk arrinte të kuptonte pse të gjashtë anëtarët e familjes së saj nuk kishin më shumë se një palë çorape. Ose, pse e ëma e kishte atë dreq zakoni që çdo të diele të lante ato pak tesha të fëmijëve, kur nuk ishte në gjendje t’u blinte të paktën më shumë se nga një palë çorape, atëherë pse i lante çdo javë sidomos në dimër kur ato mezi ku tereshin? Mes këtyre mendimeve po kotej kur dëgjoi zërin e të atit që e urdhëroi butë të shkonte të blinte bukën te dyqani i lagjes.
– E me ç’të shkoj? – deshi ta pyeste – ti e di që s’kam çorape ba. Si ti fus këmbët në këpucë? – pyetjen që e pati në maj të gjuhës megjithatë nuk e shqiptoi. Mbase, ngaqë iu dhims i ati që rropatej gjithë ditën në një fabrikë tullash e në fund të muajit nuk ishte në gjendje t’u blinte mjaftueshëm as çorape fëmijëve të vet. Nuk bëri zë, mori dy shami kamriku me të cilat mbështolli këmbët e skuqura nga të ftohtët dhe me kujdes maksimal i futi në këpucë. Sa vjeç ishte? Mbase 10 apo 11 vjeç, por mjaftueshëm për të kuptuar se varfëria është diçka e keqe.
Tani, pas shumë vjetësh kur kohërat kishin ndërruar e bashkë me to edhe sistemi, iu bë të vraponte edhe një herë deri te qendra tregtare për të blerë një dyzinë tjetër çorapesh për vajza 11 vjeçare. Mbase kështu do e bindte Almën 11 vjeçare se mungesa e çorapeve nuk do ta shoqëronte gjithë jetën e saj, por do vinte një ditë e do mbetej vetëm një kujtim i zbehtë. I dhimsej vetja e fiksuar në atë ditë të largët dhjetori të ftohtë që ia kishte skuqur dhe buhavitur aq keq këmbët e zbathura. Nuk është se nuk e dinte se pikërisht në atë të diele të ftohtë dhjetori zinte fill frika e saj e pavetëdijshme se s’kishte çorape që do mund t’ia ngrohte ato këmbë të mardhura e të çara nga morthi.
Po sikur të shkonte vërtet deri te qendra tregtare e të blinte një dyzinë çorapesh të leshta? A do t’ i ngroheshin dot këmbët Almës 11 vjeçare?
Kur pas dy ditësh shkoi sërish te qendra tregtare nuk bleu asnjë palë çorape.
Bleu vetëm dy shami kamriku të cilat e dinte se nuk do t’i përdorte dot asnjëherë. Në të vërtetë nuk e dinte se për çfarë mund të përdoreshin. Veçse për të mbuluar kujtimet.