Për një trajner të bindur se skuadra fituese krijohet rreth mbrojtjes solide, është i papranueshëm pësimi i 12 golave në katër ndeshje, ku vetëm në një rast ekipi e ka mbajtur rrjetën të paprekur.
Jo rastësisht, pas disfatës së rëndë që Chelsea pësoi në derbin me Arsenalin, Antonio Conte pranoi se e priste një natë e gjatë dhe pa gjumë, pas gabimeve te Branislav Ivanovic dhe Gary Cahill.
Dy lojtarë të destinuar të qëndrojnë në stol, por ndoshta edhe të largohen nga “Stamford Bridge”.
Rikthimet e John Terry dhe Kurt Zouma nga dëmtimet pritet të kufizojnë disi dëmet, ndërsa për t’u përforcuar te blutë e Londrës duhet të presin deri në hapjen e afatit kalimtar të verës. Pikërisht në atë periudhë, drejtuesi i stolit do të përgatitë revolucionin në mbrojtje, duke qenë se edhe Marcos Alonso i cili ka luajtur vetëm 35 minuta dhe David Luiz nuk e kanë bindur me formën e tyre.
Trajneri Conte ka përgatitur listën e shpenzimeve, ku kërkon afrimin në skuadër të dy mbrojtësve qendre dhe një mbrojtësi krahu.
Gjatë ditëve të kaluara u përfol për interesimin serioz të Chelseat për Leonardo Bonuccin, për një ofertë rreth 58 milionë euro.
Megjithatë, prej konkurrencës nga Manchester City dhe synimit të Juventusit që të mos e shesë mbrojtësin, blutë kanë më tepër shanse të përforcohen në Angli dhe emrat e përfolur janë Michael Keane i Burnley dhe Ben Gibson i Middlesbrough.
Trajneri po studion lëvizjet, për ta rikthyer Chelsean pretendent pas një sezoni zhgënjyes dhe për të evituar që aventura e tij në Ligën Premier të përfundojë përpara kohe.