Antonio Conte nuk e ka të sigurt qëndrimin për një kohë të gjatë te Chelsea, edhe në rast të arritjes së titullit kampion në Ligën Premier.
Është vet trajneri italian i Bluve të Londrës që e ka pohuar këtë, duke u bazuar edhe tek ajo që ndodhi tek ekipi i Leicester, që shkarkoi bashkëpatriotin e tij Claudio Ranieri.
“Mendoj se në futbollin modern nuk është e lehtë të nisësh një projekt, apo të jesh i sigurt se do të jesh për një kohë të gjatë te një skuadër. Kjo nuk vlen vetëm për mua, por për të gjithë trajnerët”.
“Ajo që është e sigurt është se, nëse të jepet një rast i tillë, atëherë fiton edhe mundësinë për të punuar më shumë me skuadrën, për të zbatuar idetë e tua dhe për të përmirësuar futbollistët”, tha Conte.
Ndaj Swansea, Chelsea shënoi fitoren e 12 radhazi në Stamford Bridge, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion në Angli. Blutë e Londrës janë në krye të klasifikimit pas 26 javësh, me 10 pikë më shumë se Tottenhami i vendit të dytë.